Dedaj i bindur se Kosova mund ta arrijë kualifikimin në “Euro 2022”

0
Gjigandi

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Valon Dedaj, ka thënë se vendi i tretë në kualifikimet për Evropianin e vitit 2022 nuk është mision i pamundur.

Dy të parët në të gjitha tetë grupet dhe katër prej tetë kombëtareve të renditura në vendin e tretë kualifikohen në Evropian. Ekipi përfaqësues i Kosovës kërkon rastin prej pozitës së tretë. Dhe kjo për Dedajn nuk është e përjashtuar. Por për t’ia arritur këtij qëllimi ka shtuar se hendbollistët e Kosovës duhet ta japin edhe frymën e fundit në të gjitha ndeshjet.

Kujtojmë që shorti është tërhequr më 16 qershor, kurse Kosova është në grupin e tetë së bashku me Suedinë, Malin e Zi e Rumaninë.

Ciklin e ri kualifikues Kosova e nis më 4 apo 5 nëntor të këtij viti ndaj Malit të Zi në Podgoricë.

Dedaj, që karrierën e zhvillon në Zvicër, ka pranuar se Kosova është në grup të fortë. Por ai insiston se Kosova nuk do të heqë dorë nga synimi i madh – kualifikimi në “Euro 2022”.

RonaTyra

“Grupi ynë është shumë i fortë. Por duke parë angazhimin e djemve tanë, duhet të jemi optimistë së paku për vendin e tretë në grup. Kualifikimi është i mundur edhe prej vendit të tretë në grup. Do të kemi vështirësi me Suedinë, por Malin e Zi dhe Rumaninë nuk do t’i lejojmë të marrin fitore në Kosovë. Shpresoj dhe duhet të jemi optimistë së paku për vendin e tretë në grup”, ka thënë Dedaj të dielën për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK).

Ndërkohë, ditë më parë edhe përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani, ka pranuar se do të kenë një punë shumë të vështirë gjatë kualifikimeve për “Euro 2022”. Por përzgjedhësi Ramadani ka theksuar se kualifikimi historik i Kosovës në Evropian nuk është një mision i pamundur.

“Synimi është kualifikimi në ‘Euro 2022’. Detyrë e jona është t’i fokusojmë të gjitha energjitë tona në këtë drejtim për të realizuar këtë synim. Suedia është favorite në këtë grup dhe ka shanset më të mëdha për të udhëhequr grupin. Mali i Zi dhe Rumania janë super ekipe me përvojë të madhe ndërkombëtare, por nuk e kanë konsistencën e Suedisë”, pati thënë Ramadani.

I së njëjtës vijë është edhe Kastriot Jupa, i cili pati thënë se grupi i Kosovës nuk është i pakalueshëm.

“Dardanët” e rinj vitin e kaluar arritën kualifikimin historik në Botërorin e mbajtur në verën e vitit 2019 në Spanjë. Njëherësh, kjo ishte edhe e arritura më e madhe në sportin kosovar në nivel të sporteve kolektive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu