Interi mposht SPAL-in dhe kthehet në vendin e dytë, duke lënë hapur një shpresë të vogël për arritjen e Juventusit. Një gjë që sipas Antonio Conte, megjithatë, mbetet pothuajse e pamundur. Trajneri zikaltër, i intervistuar nga DAZN, nënvizon se si në fund mund të peshojnë disa mundësi të humbura në javët e kaluara: “Ishte e rëndësishme të jepnim një sinjal vazhdimësie, bindjeje, dëshire, vendosmërie. Këto duken lojëra të lexueshme, por kurrë nuk ka asgjë të lehtë. Ne hymë në fushë me dëshirën për t’u rikthyer në vendin e dytë dhe për t’u afruar me vendin e parë. Gjithsesi, gjashtë pikë nga Juventusi janë shumë në këtë moment të kampionatit. Ne mund t’i paguajmë shtrenjtë gabimet”.
Conte më pas shpjegon problemet e përshtatjes së danezit Eriksen në realitetin e ri zikaltër: “Ai është një djalë i ndrojtur, i zhvendosur në një futboll të ri. Eriksen duhet të kuptojë, megjithatë, që ndrojtja nuk është e mirë. Dalëngadalë duhet të përpiqet të shkrihet, do të jetë çështje kohe dhe adaptimi në futbollin tonë, për t’i kuptuar disa situata të caktuara”.
Në fund, trajneri i Interit analizon Alexis Sanchez, që po shpërthen në fazën finale të këtij sezoni: “Ai është një lojtar, që ne me të vërtetë e donim. Alexis ka karakteristika të rëndësishme. Ai erdhi nga një periudhë e keq te Manchester United, por e dinim se çfarë potenciali kishte. Ne arritëm ta përmirësonim ndjeshëm, por për fat të keq u lëndua. Për fat të mirë kemi marrë përgjigje të shkëlqyera nga Lukaku dhe Lautaro. Ai tani është mirë. Për të ardhmen do të flasim me klubin, por është një futbollist plotësisht i rizbuluar, dëshiron të luajë, është i uritur. Unë jam i lumtur për të, sepse vuajti aq shumë dhe tani e kemi si armë shtesë”.