Bruno Fernandes, i transferuar në afatin kalimtar të janarit, e ka ndryshuar komplet Manchester Unitedin.
Kështu mendon Davi de Gea, që thotë se me ardhjen e tij, ‘Djajtë e Kuq’ rimorën veten dhe ishin në formë shumë të mirë para se futbolli të ndërpritej për shkak të koronavirusit.
“Mendoj se i gjithë ekipi është përmirësuar shumë”, tha De Gea, duke shtuar: “Ishim në një moment të mirë (para se të ndalej futbolli), ishim në formë të mirë, top formë”.
“Nuk kemi pranuar shumë gola, dhe natyrisht, Bruno i ka sjellë shumë kualitete skuadrës. Ai është lojtar i zgjuar, mesfushor i madh”.
“Ekipi është përmirësuar me të. Është për të ardhur keq që çdo gjë është ndërprerë sepse ishim në formë të mirë, por shpresoj që disa lojtarë që ishin të lënduar të jenë të gatshëm kur të rinisë gjithçka, kështu do të jetë sfidë e mirë për të gjithë”.
Manchester United aktualisht është në pozitën e pestë në Premierligë me 45 pikë pas 29 ndeshjeve.