Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ia ka lënë në dorë shteteve të vendosin për fatin e kampionateve.
Numri një i shtëpisë më të madhe evropiane të futbollit ka folur rreth situatës së coronavirusit dhe rifillimit të kampionateve.
Slloveni ka deklaruar se UEFA-s i intereson të dijë se kush është kampioni, vendi i dytë, i tretë apo i katërt për të mësuar se cila skuadra do të luajnë në garat evropiane.
“Për ne, gjëja e rëndësishme është të dimë kush është kampioni, kush i dyti, kush i treti dhe kush i katërti”.
“Mendimi im personal është se, përmbyllja e sezonit kaq herët nuk konsiderohet gjëja ideale, sepse situata mund të përmirësohet shumë dhe të gjithë mund të luajmë, përveç disa kampionateve”, tha Ceferin.
Tutje presidenti i UEFA-s, ka deklaruar se nëse është vendim i shtetit që të mbyllet kampionati, atëherë ata nuk kanë se çfarë të bëjnë.
“Nëse një qeveri merr vendim që të mbyllet kampionati i atij shtetit, atëherë nuk kemi se çfarë të bëjmë, edhe pse mendoj se do të ishte vendim i parakohshëm”.
“Mbyllja e kampionatit para kohe nuk ndikon në garat e UEFA-s si Liga e Kampionëve apo Liga e Evropës, kështu që është vendim i tyre”, deklaroi Ceferin.