Presidenti francez Emmanuel Macron ishte vetëm 15 vjeç kur u njoh me gruan e tij, Brigitte Trogneux, që është 25 vjet më e madhe.
Por cila është 66-vjeçarja dhe si u njohën ata?
Brigitte Trogneux është bija e Jean dhe gruas së tij Simone, më e vogla e gjashtë fëmijëve të tyre.
Familja është e pasur dhe zotëron një kompani të prodhimit të çokollatës.
Në qershor 1974 Trogneux u martua me bankierin Andre Louis Auziere me të cilin pati tre fëmijë.
Ajo ishte në faqet e para të gazetave vitin që shkoi kur presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi si “në formë të shkëlqyer” gjatë një vizite në Paris.
Emmanuel Macron, presidenti më i ri në historinë e Francës do të njihej me gruan e tij të ardhshme kur ishte 15 vjeç, kur ishte nxënës i saj në shkollën e dramës dhe ajo lexonte shkrimet e tij për klasën.
Kur Macron u bë i famshëm, dolën dhe pamjet e tij që puthte në faqe mësuesen 25 vjet më të madhe.
Presidenti është tashmë 42 vjeç dhe ka qenë në një klasë me të bijën e Brigitte, Laurence, e cila është në një moshë me të.
Në fakt prindërit e Macron u shtangën kur mësuan se djali i tyre ishte përfshirë romantikisht me mësuesen, pasi fillimisht besonin se kishte rënë në dashuri me Laurence.
Shkrimtarja autobiografike e çiftit Anne Fulda, thotë në librin e saj se lidhja e tyre nisi kur Brigitte ishte ende e martuar me babain e tre fëmijëve të saj.
Prindërit e Macron u tronditën nga zbulimi dhe hoqën djalin e tyre nga shkolla në Amiens, për të vazhduar arsimin në Paris.
Nëna e Macron: “Ne nuk mund ta besonim. Për Emmanuel me Brigitte ne nuk mund të thonim thjesht ‘Sa mirë.’”
Ajo tregon më pas se i kishte thënë Brigitte:
“Ti e bëre jetën tënde, por ai nuk mund të ketë fëmijë me ty”.
Por ajo që u bë më pas zonja e parë e Francës i kishte thënë prindërve të Macron: “Nuk mund t’ju premtoj asgjë” kur i thanë të qëndronte larg nga adoleshenti.
Në 2018 Brigitte tha për revistën Paris Match se Macron ishte zotuar të martohej me të kur ishte 17 vjeç.
Në librin e Fulda ajo citohet të ketë thënë: “Askush nuk e di se në cilin moment kjo e jona u kthye në një histori dashurie. Kjo është sekreti ynë”.
Prindërit e Macron i kërkuan asokohe 40 vjeçares Trogneux të qëndronte larg nga djali i tyre derisa të mbushte 18 vjeç, sipas biografisë. Macron u martua me të në 2007 pasi martesa e Brigitte përfundoi në divorc.
Tashmë ish-ministri francez i ekonomisë është njerku i tre fëmijëve të rritur të Brigitte, duke përfshirë dhe djalin e madh të saj Sebastien, që është dy vjet më i madh se Macron.
Bija e saj Tiphaine, 36 vjeçe, punoi në fushatën elektorale të njerkut.
Macron nuk ka fëmijë biologjikë me gruan.
Burimi: top-channel.tv