Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, thotë se Granit Xhaka, është duke e shijuar futbollin te londinezët pas punës së madhe për ta rifituar besimin e tifozëve me paraqitjet e tij në fushë.
Reprezentuesi zviceran ishte pranë largimit nga klubi në janar, derisa i ishte hequr shiriti i kapitenit pas përplasjes që kishte pasur me tifozët gjatë ndeshjes kundër Crystal Palacet.
“Ju me siguri që e dini më mirë sesa unë se çfarë ndodhi dhe sa shumë ndikoi te të dyja palët kur ndodhi kjo çështje”, u shpreh Arteta.
“Kur erdha unë, unë kisha një mendim të lartë për të. E njihja atë shumë mirë, provova ta bindja që mund ta ketë vendin e tij këtu, që mund ta shijojë karrierën e tij, që familja e tij mund të ishte e lumtur këtu”, tha ai.
“Ai është një lojtar që kur përkushtohet jep 100 për qindëshin e tij. Ai ka punuar shumë, ai ka fituar besimin e të gjithëve sërish”, deklaroi spanjolli.