Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dhënë sot detaje rreth operacionit ku u zbulua një celulë iraniane, që do të kryente një akt të rrezikshëm në Shqipëri, ditën e Sulltan Novruzit. Teksa është bërë pjesë e emisionit ‘Real Story’ Veliu pohoi se prej gati 2 vitesh Policia, konkretisht Drejtoria e Antiterrorit ka punuar për të mbledhur informacione mbi këtë celulë. Mes të tjerash ai tha se nga aksioni në fjalë, nuk pati të arrestuar, por u parandalua akti kriminal. Kjo pasi sipas tij provat e grumbulluara gjatë shoqërimit të personave dhe vëzhgimit, nuk ishin të mjaftueshëm për të bërë arrestimin e personave të celulës. Veliu tha se identifikuan emrat më të rëndësishëm që fshiheshin pas kësaj celule, si dhe ‘koka’. Veliu tha se njëri prej anëtarëve të celulës, personi me pasaportë austriake, shtetas iranian, ka vizituar mbi katër herë vendin tonë. Kreu i Policisë së Shtetit tha se bëhet fjalë për shtetasin Alireza NAGHASHZADEH, i njohur me emrin Erwin Aram.