Analisti politik Gazmir Raci, ka thënë se Fondi i Sigurisë kërkon angazhimin e të gjithë qytetarëve në mënyrë që edhe ushtria e Kosovës të forcohet dhe, siç thotë ai, edhe kjo të posedojë dronët e njohur “Bayraktar”.
Ai madje tha se këtu duhet të kontribuojnë edhe bizneset e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
“Ideja e Fondit të Sigurisë, është një momentum i ri, që kërkon angazhim të të gjithë qytetarëve, e pamë që kemi një unifikim të faktorit politik, civil por tash duhet të kalojmë në veprim, dhe u pa që edhe bizneset kosovare menjëherë u aktivizuar, po pres edhe ndihmën e bizneseve shqiptare në Shqipëri, kudo që ka shqiptarë të na ndihmojnë në këtë drejtim mos të presim vetëm nga diaspora, edhe ne brenda, edhe deputetët, edhe milionerët tanë politikë duhet të japin për ushtrinë e Kosovës dhe të ndihmojmë që t’i plotësojmë nevojat që pse të mos i kemi edhe ne bajraktarët e parë në Kosovë”,
ka thënë Raci në Rubikon.
Raci foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO e BE, ku tha se është momenti që diskutimi të kalohet, siç tha ai, nga ‘fesbukian’ në ofanzivë diplomatike.
Ai tha se Kosova duhet të lobojë me Uashingtonin pasi sipas tij, ajo është kupola e çështjes së anëtarësimit të vendit në NATO.
“Është momenti që nga diskutimi ynë ‘fesbukian’ të kalojmë në ofanzivë diplomatike. E para ne duhet të aktivizojmë lobimet tona në Amerikë urgjentisht të nënshkruhen kontrata, të rikthehen kontratat e lobimit sepse e dimë që politika amerikane nuk funksionon ndryshe por përmes angazhimit të njerëzve me ndikim, që kanë shërbyer në të kaluarën me qeverisjen demokrate ose edhe republikane pse jo, dhe të fillohet nga Uashingtoni, për shkak se Uashingtoni mendoj se është kupola e çështjes së anëtarësimit tonë në NATO, dhe i gjithë angazhimi ynë politik, diplomatik dhe ushtarak duhet të shkojë në atë drejtim”,
ka shtuar ai.
Ndërkaq shtoi se qeveria duhet të jetë më këmbëngulëse në zbatimin e MSA-së, pasi siç thotë ai, MSA-ja është çelësi i Kosovës për anëtarësim në BE.
“Te BE-ja kemi probleme, sepse në raport me Bashkimin Evropian MSA-në e kemi keq në zbatim, këtu duhet Kuvendi i Kosovës të jetë më këmbëngulës në zbatimin e MSA-së, sepse MSA-ja është çelësi ynë i parë drejt anëtarësimit në BE sepse aty matet performanca jonë e arritjes së standardeve”,
tha ai.
Anëtarësimi në NATO e BE duhet të bëhet sa më parë, pasi sipas tij Rusia ndodhet shumë afër Kosovës.
“Ne Rusinë e kemi në Nish. Rusia është shumë afër, është në kufi”,
u shpreh ai.