Me rastin e 22 Prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëorganizim me MASHT-in, UNDP-në shënuan disa aktivitete në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se ambienti është ndotur dhe po vazhdon të ndotet në masë të madhe, por ai ngjalli shpresën tek fëmijët për përmirësimin e ambientit në të ardhmen.
Ministri Aliu tha po ashtu se për ndotjen që është shkaktuar dhe që po vazhdon ende, fëmijët e kanë të drejtën që kur të rriten t’i padisin keqbërësit.
“
Për ndotjen që kemi shkaktuar dhe po e shkaktojmë ne çdo ditë, këta fëmijë e kanë të drejtën që të na padisin kur të rriten dhe të bëhen të vetëdijshëm për ambientin të cilin e kemi dëmtuar ne. Pra, të dashur fëmijë këto bimë që po i mbjellim sot në këtë mur, këto do të ndikojnë që të pastrohet ky ajër. Ndërsa, ky ajër është i ndotur sot për shkak se ne e ndotim
“.
“
Gjithë ushqimin, ujin, dhe ajrin që e thithim janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këto shishe sot po na helmojnë çdo ditë, sepse ne i kemi helmuar së pari ato. Ne e kemi helmuar tokën me këto shishe të plastikës, e kemi helmuar tokën çdo ditë me mbeturina dhe vazhdojmë me e helmu. Nuk është e lehtë me i bindë njerëzit që të mos e dëmtojnë më ambientin, të mos hedhin më shishe, e të mos e helmojnë më tokën, sepse ashtu janë pjekur. Por, s’ mund të vetëdijesohen sot ata? E vetmja shpresë jeni ju të dashur fëmijë
“, theksoi Aliu.
E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar strategjinë që me rastin e ditës së tokës fëmijët do të vetëdijesohen për pastrimin e ambientit dhe ajrit.
“
Po festojmë ditën e tokës me UNDP, organizata të ndryshme, ambasadën Japonezë, një vend për vetëdijesim të fëmijëve dhe të qytetarëve për bimë të ndryshme të cilat ndihmojnë për oksigjenim dhe në pastrimin e ajrit. Janë katër grupe fëmijësh dhe është një garë e këndshme mes tyre se cili po i mbjell ë mirë këto bimët për oksigjenim. Dhe çka mësojnë këtu sot kanë me i dërgu nëpër shkolla, kanë me mbjell kopshte vertikale, kanë me i mirëmbajte gjatë tërë vitit dhe ne kemi e i monitoru periodikisht se si po i’u shkon puna”
, tha Rama.