Adriano rrëfen Interin e tij: Ende nuk e besoj, tifozët zikaltër më shpallën ‘Perandor’

0
Adriano rrëfen Interin e tij: Ende nuk e besoj, tifozët zikaltër më shpallën ‘Perandor’
Gjigandi

Njëra pas tjetrës, foto të marra nga albumi i kujtimeve; golat, shumë prej tyre me fuqi të paparë, dhe dashuria e tifozëve zikaltër. Adriano ishte protagonisti i episodit të parë të formatit “Karriera”, të transmetuar në Inter Tv.

Kujtimi i parë i referohet goditjes së famshme me “thyerje porte” ndaj Real Madridit, që e futi në botën e futbollit: “Ishte ndeshja ime e parë me fanellën e Interit. Isha 19 vjeç, goditje dënimi ndaj Real Madridit, e mbaj mend shumë mirë. Një javë më parë, në stërvitje ishim ndalur për të praktikuar goditjet e lira.

Seedorf më kishte parë duke gjuajtur fort. Ishte ai që më sugjeroi të godisja fort, sepse në realitet donte ta gjuante Materazzi topin. Sapo kisha ardhur tek Interi dhe për fat shënova një gol të mirë. Kur shënova, nuk e besoja, isha 19 vjeç. Ishte ëndërr për mua të luaja për Interin.

Ka pasur kampionë të mëdhenj dhe unë kam qenë aty, pjesë e atij ekipi. Kam qenë shumë me fat që luaja me ata lojtarë, për mua dhe familjen time ishte shumë e rëndësishme. Dëshira për të treguar atë që mund të bëja ishte e madhe dhe më dha besimin e duhur”.

Më pas, një foto në shoqërinë e Ronaldos dhe Clarence Seedorf para fillimit të një ndeshjeje kampionati: “Isha i vogël edhe këtu. Të kesh kampionë të tillë në krahë ishte një emocion i pabesueshëm. Edhe tani kur i shoh fotot më duket e çuditshme.

RonaTyra

Nuk ka krahasim me Ronaldon, ai ishte një “Fenomen”, e ka treguar në karrierë. Në Pinetina kam jetuar një kohë në shtëpinë e tij dhe më kujtohet se gjithmonë më thoshte: Nëse do të shkosh larg, duhet të luftosh, të ndihmosh familjen tënde. Ai ishte si një vëlla më i madh për mua”.

Një tjetër gol i famshëm për natyrën e tij të jashtëzakonshme, ai në “San Siro” kundër Udinese: “Për disa gola ende nuk e besoj. Në atë moment isha mirë dhe bëja gjëra që vinin automatikisht. Kur je kaq mirë me veten, fizikisht dhe psikologjikisht, bën edhe gjëra të pabesueshme, ato të vijnë natyrshëm.

Ishte një gol i mirë kundër Udinese. Para asaj ndeshjeje po kthehesha nga Brazili dhe kisha bërë pak pushim, por doja të luaja. Goli final i “Copa America” është një nga më të mirët që kam shënuar, mendoj.

Në jetën time kam qenë gjithmonë vetvetja dhe i kam dëgjuar të gjithë, kjo ishte shumë e rëndësishme. Duhet t’i dëgjojmë të tjerët, sepse gjithmonë ka diçka për të mësuar. Duhet të jemi të përulur për ta përmirësuar veten gjithnjë e më shumë”.

Dhe pastaj është derbi me Milanin: “Derbi është një përgjegjësi e madhe, ka gjithçka në atë ndeshje, kaq shumë emocione, të gjitha së bashku. Është shumë emocionues. Është e vështirë të shpjegohet se si jetohet kjo ndeshje, kushdo që e ka luajtur e di.

Para ndeshjes janë të gjithë të koncentruar dhe të emocionuar për të bërë mirë, por edhe derbi është një përgjegjësi e madhe. Kur isha mirë vështirë të më ndalonin. Mbaj mend Materazzi një herë, kur nuk luaja në maksimum dhe pastaj bëra një ndeshje fantastike.

Ai tha: Perandori u kthye. Kur isha në fushë, gjithmonë bëja gjithçka për ta ndihmuar ekipin tim. Unë kam qenë gjithmonë pranë shokësh e miqsh që më kanë parë jo vetëm si lojtar, por edhe si vëlla. Kjo ishte shumë e rëndësishme, i falënderoj të gjithë”.

Më në fund, përulja ndaj fansave zikaltër. Kjo vazhdon edhe sot: “Duhet të falënderoj fansat që kanë pasur gjithmonë një dashuri të madhe për mua. Ata më kanë vënë këtë emër, Perandori. Edhe sot e kam të vështirë ta kuptoj sa dashuri kishin për mua. Sa herë vij në Itali e ndjej këtë dashuri të tifozëve të Interit. Kjo do të jetë gjithmonë shtëpia ime e dytë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu