E ardhmja e Philippe Coutinhos është në pikëpyetje edhe pse në ditët e fundit u përfol shumë që aventura e tij me fanellën e Bayernit të Mynihut të përfundojë këtë edicion.
Megjithatë është shefi ekzekutiv i bavarezëve Karl-Heinz Rummenigge ai që lë një dritare të hapur për 27-vjeçarin, duke e bërë të ardhmen e fantazistit një telenovelë më vete.
Ditë më parë skadoi e drejta e klubit për të ushtruar blerjen e plotë të kartonit të Coutinhos dhe ne nuk bëmë asnjë veprim, u shpreh 64-vjeçari që shtoi, tani duhet të planifikojmë skuadrën për sezonin e ardhshëm dhe të shohim nëse lojtari do të ketë një rol të rëndësishëm ose jo në grup.
Fjalë që lënë të hapura një transferim përfundimtar në Bavari të mesfushorit që erdhi i huazuar nga Barcelona me të drejtën e blerjes për shifrën e 120 milionë eurove.
Megjithatë duket se shuma e caktuar për blerjen përfundimtare është ajo që frenon klubin të konfirmojë në radhët e veta 28-vjeçarin, që ka luajtur 22 ndeshje në kampionat dhe 7 në Champions League duke realizuar një total prej 9 golash, vetëm një prej tyre në kompeticionin europian.
Për momentin lojtari është në infermieri duke munguar në ndeshjen e parë të rikthimit të Bundesligës pas ndalesës për shkak të pandemisë botërore që shkaktoi Covid-19..