Një ceremoni surprizë është organizuar nga Policia e Shtetit në Lezhë për policin Ndue Gjoni me rastin e daljes së tij në pension.
Pas 40 vitesh në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve, Gjoni u vlerësuar me Certifikatën për Shërbime të Dalluara dhe stemën e Policisë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano.
Gjatë ceremonisë emocionuese të zhvillua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Nano vlerësoi kontributin dhe sakrificën e policit Ndue Gjoni.
“Unë të përgëzoj dhe të shpreh mirënjohjen, në emër të Policisë së Shtetit, ty dhe nëpërmjet teje, të gjithë punonjësve të Policisë që janë të përkushtuar dhe krijojnë modele frymëzimi e shembulli për t’u ndjekur nga brezat e rinj në Polici. Të vlerësosh ata që kontribuojnë, sakrifikojnë e nderojnë organizatën e Policisë, duke i shërbyer me dinjitet qytetarëve, është më minimalja që duhet të bëjmë”, ka thënë Nano.
Ndërsa Gjoni u shpreh se shërbimi i tij i gjatë nuk ka qenë i lehtë, “pasi puna në Policinë e Shtetit kërkon përkushtim, devotshmëri, sinqeritet dhe durim, por me ndihmën e kolegëve dhe të drejtuesve, kemi arritur t’i realizojmë të gjitha detyrat”.
E pranishme në ceremoni edhe bashkëshortja e inspektorit Ndue Gjoni, e cila shprehu mirënjohje për vlerësimin që iu bë bashkëshortit të saj, për përkushtimin dhe sakrificat e tij gjatë katër dekadave në Policinë e Shtetit.
Ndër të tjera, kjo ceremoni ishte një gjest vlerësimi dhe një mesazh inkurajimi për të gjithë punonjësit e policisë, anembanë vendit, atyre të karrierës, por edhe brezit të ri, për të punuar me përkushtim e ndershmëri që detyrën ta kthejnë në mision, në interes të vendit, qytetarëve dhe të emblemës që ata përfaqësojnë, ka thënë policia në një postim në Facebook.
/abc24.al/