Sot një vit pa sportisten e madhe shqiptare! 29 qershori i kobshëm, kur na iku sportistja e madhe shqiptare, pa na thënë lamtumirën!
Florijana Ismaili e humbi jetën tragjikisht në liqenin Como të Italisë pikërisht me 29 qershor të vitit 2019.
Pas disa ditëve (me 2 korrik), 24 -vjeçarja ishte gjetur në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como.
Florijana, ka qenë futbolliste e skuadrës zvicerane Young nga Bernë dhe anëtare e Kombëtares të Zvicrës. Shqiptaria dhe Zvicra humbën një lojtare të madhe! 29 qershori tronditës! Krejt në fund, Florijana sa herë kërkonim intervistë për gazetën ‘Bota sot’, ajo gjithmonë përgjigjej me kënaqësi. Faleminderit për të gjitha intervista.
Po e ribotojmë intervistën e parë me Florijana Ismaili, që ishte realizuar në javën e fundit të qershorit të vitit 2015. Intervista e saj u publikua në versionin e shtypur të gazetës “Bota sot” në Kosovë e diasporë, me 29 qershor të vitit 2015.
Ja intervista e plotë:
Ismaili: Me Young Boys-in, të jemi në mesin e të parëve
(29 qershor, 2015) – Kampionati Botëror në futboll për femra po mbahet në Kanada, pjesë e kësaj ngjarje të madhe kanë qenë edhe dy shqiptare. Është fjala për futbollistet Florijana Ismaili që luan për kombëtaren e Zvicrës dhe Kosovare Asllani për Suedinë. Si njëra futbolliste po ashtu edhe tjetra me kombëtaret e tyre janë eliminuar në të tetën e finales. Florijana Ismaili është e lumtur që për herë të parë ka qenë në Kampionatin Botëror dhe i ka lënë një mbresë të pashlyeshme.
Florijana luan në pozitën mesfushore-sulmuese dhe është anëtare e ekipit Young Boys nga Zvicra. 20-vjeçarja me prejardhje nga Presheva për gazetën kombëtare “Bota sot”, tha se është ndjenjë e jashtëzakonshme kur je pjesë e një ngjarje të madhe siç ishte Kampionati Botëror dhe synimet e saja janë që me ekipin e Young Boys-it të janë në mesin e ekipeve më të mira zvicerane. Një futbolliste e shkathët dhe që premton lojëra edhe më të mira në fanellën e Young Boys-it gjithsesi edhe me kombëtaren e Zvicrës.
“Bota sot”: Zvicra është eliminuar në të tetën e finales nga Kanadaja me rezultat 1:0. A mendoni se me pak fat keni mundur të avanconi edhe më tutje?
Florijana Ismaili: Është e vërtet se fati nuk ka qenë në anën tonë por prapëseprapë edhe me këtë rezultat jemi të kënaqur.
“Bota sot”: Nga katër ndeshje në Kampionatin Botëror nuk keni pasur asnjë minutë lojë. A keni pritur të paktën të luani apo ishit e kënaqur që keni qenë pjesë e kësaj ngjarje të madhe?
Florijana Ismaili: Po, është e vërtet, se asnjë minutë s’kam luajt, po pjesëmarrja është shumë më e rëndësishme, se unë tash i kam 20 vjet dhe kjo është hera e parë që marr pjesë në botëror.
“Bota sot”: Jeni anëtare e ekipit të BSC Young Boys nga Bernë, a keni pritur më shumë, sepse skuadra juaj e përfundoi në vend të shtatë edicionin me gjithsej 20 pikë nga 18 ndeshje e zhvilluara?
Florijana Ismaili: Na kemi shumë potencial në ekipin Young Boys dhe mendoj se në sezonin e ardhshëm do të radhitemi në mesin e të parëve.
“Bota sot”: A mendoni se gjithnjë e më shumë po rritet niveli i futbollit te femrave në Zvicër dhe a ka shumë shqiptare talente të këtij sporti?
Florijana Ismaili: Mendoj se do të ketë edhe më shumë shqiptare në futbollin e femrave. Me arritjen tonë në botëror mendoj se tani do të ketë edhe më shumë interes në futbollin e femrave në Zvicër.
“Bota sot”: Në Kampionatin Botëror ishte edhe Kosovare Asllani, a keni pasur kontakte me të?
Florijana Ismaili: Jo, s’kemi pas kontakt.
“Bota sot”: Sa keni njohuri për futbollin e femrave në Kosovë?
Florijana Ismaili: Po kam dëgjuar se edhe në Kosovë ka femra që luajnë futboll dhe jam shumë krenare.
“Bota sot”: A do të qëndroni edhe me tutje në Young Boys apo keni oferta nga klubet tjera?
Florijana Ismaili: Jo, për këtë sezon jam e koncentruar veç për Young Boysin.
“Bota sot”: Kush iu nxiti që të merreni me futbollin dhe sa e keni përkrahjen e prindërve?
Florijana Ismaili: Babai ka qenë ai që më ka marr në fushë të futbollit dhe deri më sot më përkrahin prindërit e mi.
“Bota sot”: Sa je e kënaqur me kushtet në Young Boys dhe si e sheh rivalitetin me skuadrat tjera, cila është më e papërshtatshme?
Florijana Ismaili: Me kushtet në Young Boys jam shumë e kënaqur.