Dy raste të tjera me COVID-19 në Berat, bëhet fjalë për një 45-vjeçare dhe një të burgosur, i cili sapo ishte kthyer në qeli, duke e çuar në 8 numrin e të sëmurëve me covid 19 në këtë qytet.
Dy rastet janë konkretisht një 45-vjeçare nga qyteti i Beratit, e cila kishte 2 ditë e shtruar në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, nga ku është transportuar në mbrëmjen e ditës së djeshme drejt Spitalit Infektiv në Tiranë në gjendje të rëndë.
45-vjeçarja kishte disa ditë që kishte shfaqur probleme me frymëmarrjen, kollë dhe temperaturë të lartë. Mjekët epidemiologë në Berat kanë marrë sot 16 tamponë të familjarëve të dy rasteve të reja me Covid-19 dhe po punojnë edhe për gjurmimin e rasteve të tyre kontaktit, ndërkohë që konfirmohet se janë dezinfektuar edhe banesat e tyre.
Rasti tjetër rezulton të jetë një i burgosur në IEPV-në e Beratit. I burgosuri ndodhej prej disa muajsh në banesën e tij pas daljes në liri për shkak të pandemisë dhe vetëm 2 ditë më parë ai ishte rikthyer në burg për të vazhduar vuajtjen e dënimit.Natën e parë të rikthimit në ambientet e burgut të Beratit ai ka shfaqur shenja këputje dhe ka pasur temperaturë.
Pasi janë njoftuar për rastin, mjekët epidemiologë të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Berat, kanë kryer tamponin e të burgosurit që ka rezultuar pozitiv.
Nga DSHP Berat konfirmohet se është herët për t’u testuar punonjësit dhe të burgosurit e IEPV-së Berat, ndërkohë që janë testuar dhe karantinuar në banesë familjarët e tij.
Burimi: top-channel.tv