Nëntë persona kanë marrë lëndime të lehta trupore në gjashtë prej gjithsej dhjetë aksidenteve gjatë ditës së djeshme në rajonin e SPB-së Shkup. Në katër aksidente është shkaktuar dëm material.
Nga MPB informojnë se dje policia e komunikacionit ka zbuluar dhe përjashtuar nga komunikacioni 32 shoferë të cilët kanë qarkulluar me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, tre shoferë e kanë ngasur automjetin nën ndikim të alkoolit, 16 para se të marrin patentë shoferi, dy fillestarë, si dhe katër automjete të paregjistruara.
Janë sanksionuar edhe shtatë shoferë të cilët kanë kaluar në udhëkryq në dritë të kuqe, katër shoferë nuk u kanë dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar, katër shoferë nuk u kanë dhënë përparësi kalimi automjeteve në zona të udhëkryqeve, shtatë shoferë të motoçikletave për mosshfrytëzim të kaskës mbrojtëse, 22 shoferë për mosmbajtje të rripit të sigurisë dhe 23 shoferë kanë përdorur celular gjatë ngasjes së automjetit.
Shtatë këmbësorë janë sanksionuar për kalim jashtë vendkalimit të shënuar dhe një i cili ka kaluar rrugën në dritë të kuqe.
Janë zënë edhe 61 automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme, ndërsa me automjetin special “karrotrec” janë mënjanuar 50 automjete.