1 milion dollarë lirimi me kusht për policin e akuzuar në vdekjen e George Floyd

0
Gjigandi

Një gjykatës të hënën caktoi shumën 1 milion dollarë për lirimin me kusht për një polic në Mineapolis, të akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, në vdekjen e George Floyd. 44 vjeçari Derek Chauvin, pothuajse nuk tha asgjë gjatë seancës që zgjati 11 minuta, nën drejtimin e gjykatëses Denise Reilly përmes një komunikimi me video me qark të mbyllur nga një burg shtetëtor i sigurisë së lartë.

Avokati i tij, Eric Nelsen nuk e kundërshtoi vendimin për ngritjen e shumës nga 500 mijë dollarë të lirimit me kusht, që ishte vendosur fillimisht. Ai po ashtu nuk adresoi përmbajtjen e akuzave, ku përfshihen edhe akuza për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim të shkallës së dytë. Avokati mbrojtës nuk foli për shtypin pas procesit. Me 29 qershor është caktuar dalja e rradhës para gjykatës. George Floyd, një afrikano-amerikan në pranga, vdiq me 25 maj pasi polici i bardhë vuri gjurin në qafën e tij për disa minuta edhe pasi Floyd pushoi së lëvizuri dhe bëri thirrje për të marrë frymë.
Vdekja e tij nxiti protesta, disa të dhunshme, në Mineapolis të cilat u përhapën me shpejtësi në qytetet amerikane dhe në mbarë botën. Chauvin dhe tre policë të tjerë në skenë u pushuan nga puna ditën pas vdekjes së zotit Floyd. Tre policët e tjerë J. Kueng, Thomas Lane dhe Tou Thao janë akuzuar për ndihmë dhe mbështetje. Ata janë nën arrest dhe mund të lirohen me kusht përkundrejt shumës prej 750 mijë dollarë. Familja e policit Lane ka krijuar një faqe në internet ku kërkon donacione për të ndihmuar në lirimin e tij me kusht. Në faqen e internetit theksohet mungesa e tij e përvojës dhe se sapo kishte përfunduar periudhën e provës, si dhe pyetja e tij për policin Chauvin nëse Floyd duhet të rrotullohej në anën tjetër. Aty theksohet edhe puna e tij vullnetare.
Vdekja e zotit Floyd ka ndezur thirrjet për reforma në policinë e Mineapolisit, të akuzuar prej kohësh nga aktivistë të komunitetit për diskriminim të thellë racial dhe brutalitet. Shumica e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Mineapolisit thanë të dielën se mbështesin shpërndarjen e plotë të departamentit të policisë, megjithëse ende nuk kanë ofruar plane konkrete se me çfarë do të zëvendësohet. “Askush nuk po thotë se duam të shfuqizojmë shëndetësinë dhe sigurinë” tha për një stacion radio Alondra Cano me këshillin bashkiak. “Ne po themi se kemi një sistem të prishur që nuk po prodhon rezultatet që duam.” Shteti i Minesotës javën e shkuar nisi një hetim për të drejtat civile në departamentin e policisë. Të premten, këshilli miratoi ndalimin menjëherë të taktikave të shtrëngimit të qafës nga policia si dhe disa ndryshime të tjera. Ky hetim po vazhdon./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu