Ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim ka njoftuar se javën e ardhshme vendin tonë do ta vizitojë zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Ndihmës Sekretarja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Dr. Karen Donfried.
Kim në rrjetet sociale ka publikuar axhendën e DASH dhe sqaron se diplomatja e larte amerikane do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe.
“Më 28 prill ajo do të përkujtojë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe do të falënderojë Shqipërinë për partneritetin tonë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus.
Ajo do të nënvizojë gjithashtu mbështetjen tonë të fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, si dhe do të theksojë nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin”.