Eden Hazard dhe Willian vuanin nën drejtimin e Maurizio Sarri te Chelsea. Këtë e thotë Gianfranco Zola, i cili siguron se taktikat e trajnerit italian ishin të pakapërdishme për të dy. Sarri u përzgjodh për të zëvendësuar Antonio Conte në stolin e nxehtë të “Stamford Bridge”, pas sezonit 2017-2018, i cili i pa “Blues” ta mbyllnin në vendin e pestë të Premier League. 61-vjeçari arriti në Angli nga Napoli, me një reputacion të shkëlqyeshëm, të cilin e forcoi gjatë muajve të parë në Londrën perëndimore, ndërsa Chelsea mori fitore mbresëlënëse.
Sidoqoftë, rezultatet pozitive munguan gjatë periudhës së Krishtlindjes. Të besuarit e Sarrit përfundimisht dolën nga gara për trofe kombëtarë në fillim të vitit 2019, me humbjen 6-0 ndaj Manchester City. Kjo ishte pika më e ulët e “mbretërimit” të italianit atje. Hazard u nis për te Real Madridi, pasi prodhoi sezonin e tij më të mirë në drejtim të golave dhe asisteve. Sidoqoftë, Zola ka zbuluar se ai dhe Willian luftuan që t’i kapnin metodat e Sarrit në fushën e stërvitjes. Zola, i cili shërbeu si ndihmës i Sarrit, i tha “beIN Sports”:
“Ata ishin lojtarë të talentuar, si Hazard dhe Willian. Janë lojtarë që dinë t’i fitojnë ndeshjet edhe vetëm, por vuanin nga lloji i ushtrimeve dhe i stërvitjes që ne bënim. Kjo nuk ishte problem për të tjerët. Dua të jem i sinqertë, ata u sollën shkëlqyeshëm, edhe pse mërziteshin. Në fillim, lojtarët ishin shumë larg gjithçkaje që ne po kërkonim. Pastaj, grupi ia mori dorën stërvitjes. Ndërsa javët kaluan, për shkak të dendësisë së ndeshjeve që po luanin, lojtarët u lodhën dhe, gjithashtu, u mërzitën në një farë mënyre.
Por, mërzitja është pjesë e punës sonë. Ndonjëherë mërziteni, por duhet të vazhdoni atë që po bëni, nëse doni më të mirën. Mbaj mend që, kur mësoja të luaja futboll, duke goditur një top, për shembull, e kam bërë këtë 300-400 herë në ditë, të paktën. Kishte momente kur lodhesha, por më duhej ta bëja vazhdimisht. Nëse do të doja që ai të bëhej pjesë e imja, ky ishte procesi që duhej të kaloja”.