Zidane dëshironte të dërgonte një mesazh mbështetjeje për të gjithë ata, që kanë humbur të dashurit për shkak të krizës së koronavirusit, përpara se të fillonte me konferencën e tij të parë telematike nga “Valdebebas”: “Dua të shpreh dashurinë time për të gjithë ata që kanë humbur të dashurit, mirënjohjen time për të gjithë mjekët që kanë shpëtuar njerëzit, për punën e madhe që kanë bërë. Përshëndes edhe të gjithë anëtarët e familjes sonë të Real Madridit”, shkruan telesport.
Rifillimi – “Ne e dimë që kemi kaluar një periudhë të vështirë. Në fakt, për krejt njerëzimin është një kohë e keqe. Jemi me fat që do të luajmë përsëri. Lojtarëve iu jam shumë mirënjohës. Ne kemi punuar shumë mirë fizikisht dhe nuk kam asnjë dyshim që jemi gati”.
Ndryshimi i stadiumit – “Është stadiumi ynë, edhe pse në të e vërtetë jemi mësuar me “Bernabéu”. Do të përshtatemi me atë që kemi në dispozicion. Madhësia është e njëjtë dhe jemi të gatshëm për të luajtur në këtë stadium”.
Formacioni – ”Si gjithmonë, ky proces nuk do të ndryshojë. Është detyra ime të zgjedh ata që do ta nisin titullarë. Në fakt, gjithmonë më dhemb të zgjedh midis 23 ose 24 lojtarëve. Mendoj edhe për të dëmtuarit. E mira është se të gjithë do të jenë në pankinë, mua më pëlqen kjo. Të gjithë janë trajnuar shumë mire”.
Hazard dhe Asensio – “E mira është se ata kanë pasur kohë për t’u përgatitur. Po stërviten normalisht dhe do të jenë të disponueshëm. Ky është një lajm i mirë”.
Pesë zëvendësime – “Unë nuk mendoj nëse do të përfitoj apo jo nga ky rregull i ri. Ne do të përshtatemi me situatën e krijuar. Kemi 23 lojtarë në dispozicion. Ne po jetojmë një moment kaq të çuditshëm dhe do t’i përshtatemi situatës. Jemi të përgatitur për gjithçka”.
Kalendari – “Unë nuk besoj se ndikon të luajturit para ose pas rivalëve. Jemi të lumtur që mund të luajmë përsëri. Pastaj, ne e kemi si zakon të luajturit çdo tri ditë. Nuk ka justifikime, na pret edhe një muaj e gjysmë ndeshje”.
Mungesa e tifozëve – “Nuk më pëlqen të luaj pa audiencë, por ka një qeveri që punon për këtë dhe ne i pranojmë vendimet. Do të na mungojë tifozët tanë. Jemi të lumtur që mund të luajmë përsëri dhe do të japim gjithçka në fushë”.
Shqetësimet – “Kemi pasur gati një muaj përgatitje, kohë e mjaftueshme për të rikuperuar fizikun tonë. Ndoshta mund të jetë e vështirë për t’u përshtatur me rregullat e reja, por kemi një skuadër të mirë dhe të bollshme. Të gjithë kemi pasur nga pak telashe, sepse kanë humbur jetën shumë njerëz në këtë kohë pandemie. Atmosfera në mbarë globin ishte e frikshme”.
La Liga apo Champions – “Do të luajmë La Liga-n si fillim, ta përfundojmë sa më mirë atë. Kemi edhe 11 ndeshje, 11 finale, më pas do të mendojmë për Champions. Asgjë nuk do të ndryshojë në objektivat tanë, edhe pse është një situatë krejt e rrallë. Së pari do të përqendrohemi në kampionat”.
Ndeshja e 200-të si trajner i Realit – “Do të jetë pak e çuditshme, por ne jemi të përgatitur dhe do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen”.
Pandemia – “Askujt nuk i pëlqen të mbyllet, por kjo ndodhi për shkak të një situate shumë të vështirë. Pozitiv është fakti se gjërat janë duke u rikthyer në normalitet, ose mund të themi se jemi në rrugën e duhur”.
Bilanci i 200 ndeshjeve – “Unë nuk mendoj të mposht askënd, dua vetëm të jap gjithçka çdo ditë. Përfitoj nga çdo moment që ta bëj punën e trajnerit të Realit. Më pëlqen të jem me lojtarët e mi. Të jem me ta është një bekim. Falënderoj Real Madridin çdo ditë, që ma dha këtë mundësi. Unë jam akoma këtu, pasi kam mbërritur më 2001. Kam miq të shumtë këtu. Njerëzit më thanë që të qëndroja në këtë vend dhe ashtu bëra, sepse i dua spanjollët”.
Gara me Barcelonën – “Ne jemi dy pikë mbrapa, na presin edhe 11 finale. Shpresoj të jemi në gjendje ta fitojmë këtë kampionat. Le t’i konsiderojmë këto 11 ndeshje si një fazë finale të Kampionatit Europian ose Kupës së Botës. Gjëja e rëndësishme është përgatitja. Ne jemi përgatitur shumë mirë. Ajo që duam të bëjmë është të japim gjithçka në fushë. Unë kam besim te skuadra dhe tani duhet ta tregojmë sa vlejmë”.