Gjatë një komunikimi për turizmin në Shëngjin, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se shteti nuk ekziston për operatorët turistikë dhe se ka zero ndihmë, vetëm taksa, gjoba, fatura të larta energjie dhe uji.
“Të dashur miq, kjo është e vërteta, realiteti këtu nga Shëngjini, edhe përsa i përket një prej sektorëve kryesorë që është sektori I turizmit, i cili, në rrethana normale, përbën pothuajse ¼ e ekonomisë shqiptare. Sezoni praktikisht ka filluar. Pa diskutim, plazhi është i mrekullueshëm, i rrallë jo vetëm për Shqipërinë dhe për rajonin, por i rrallë edhe në Evropë, qoftë për cilësinë e rërës, qoftë për bukurinë që ofron, në mes të një zone që ndërthur historinë siç është Lezha, me gatime tradicionale dhe me gatime specifike të operatorëve turistikë, të hoteleve, të restorantëve me nam të kësaj zone në të gjithë Shqipërinë, Gjithçka në perfeksion përsa i përket kushteve të natyrës, gjithçka blozë përsa i përket situatës ekonomike, sepse dora e shtetit nuk ndjehet. Në fakt, mund të themi se ndjehet vetëm negativisht, sepse kujtohen, kur vijnë për gjoba, kujtohen, kur vijnë për taksa , kujtohen, kur vijnë për të vjelë tarifat dhe faturat e energjisë, ndërsa për pjesën tjetër zero prani, zero ndihmë për operatorët turistikë”, u shpreh Basha.
Më tej shtoi:
“Një nga faktorët kryesorë që duhet të ndihmoheshin me paketat, të ashtuquajtura, se janë gjysmë paketa – sa na përket ne si opozitë, ne kërkuam shumë më shumë, e ngritëm zërin që taksat tuaja të shkonin për të ndihmuar konsumatorët, të shkonin për të ndihmuar operatorët dhe në tërësi operatorët ekonomikë të vendit, – por edhe ato gjysmë paketa që u hartuan me qëllim gjoja për të ndihmuar ata që janë goditur më rëndë, siç është mes tyre industria e turizmit, nuk kanë dhënë asnjë efekt. Këtë që dëgjuat nga Dritani e kam dëgjuar gjatë ecjes time këtu në Shëngjin nga të paktën 10 operatorë të tjerë turistikë, qofshin pronarë hotelesh të mëdhenj apo të vegjël. Restorante zero, zero, zero përkrahje. Për dy ditë hyn korriku, nuk kanë asnjë siguri për prenotimet, nuk kanë asnjë mbështetje dhe në këtë aspekt, me të vërtetë, kemi thyer një rekord, sepse një situatë komplet ndryshe është në Mal të Zi, është një situatë krejt ndryshe në Maqedoninë e Veriut, një situatë krejt ndryshe në Greqi. Shqipëria mbetet i vetmi ndër vendet fqinje që nuk u siguron kushte operatorëve turistikë. Turizmi nuk mbështetet, por u thonë “shkoni në bankë, merrni lekë për të paguar të punësuarit”, që për këdo që merret me biznes e di që është një hap para falimentimit, sepse të shkosh në bankë për të marrë lekë për të paguar punonjësit, kur ti nuk ke të garantuar klientët, do të thotë ta futesh në një gropë të thellë biznesin, gropë nga e cila nuk mund të dalësh më. Ne e dimë se kështu jo vetëm që nuk ndihmohet turizmi, por i jepet një goditje dërrmuese ekonomisë, e cila ndodhet një krizë të thellë, ndaj është e domosdoshme që të kemi një ndryshim dhe një ndryshim të thellë sa i përket përqasjes ndaj ekonomisë në tërësi dhe turizmit në veçanti. Koha është e bukur, Shqipëria është e bukur por realiteti është i trishtë. Ky është realiteti i vërtetë pa zbukurime, pa propagandë, pa regji qendrore. Ky është realiteti i operatorëve turistikë, siç e thonë ata me gojën e tyre, të gjithë sipërmarrësve të vegjël dhe të mëdhenj, me gojën e fermerëve. Një Shqipëri në krizë të thellë ekonomike, sepse edhe këtë javë edhe javën e kaluar në vend të mbështetjes për operatorët turistikë, në vend të mbështetjes për turizmin si një nga degët kryesore të ekonomisë Shqiptare, kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë vazhduar të derdhin lekët tuaja, lekët e taksave tuaja nga thesari i shtetit në xhepat e bandës së Lushnjës, 1 milion Euro pagesa për Klodian Mërtirin dhe inceneratorët korruptivë. Kanë vazhduar të harxhojnë miliona për kontrata të pseudokoncesioneve dhe të PPP-ve, kur më shumë duheshin këto para për të mbushur xhepat tuaj të zbrazur, kur më shumë duheshin këto para për të mbushur tavolinat e zbrazura të shqiptarëve, kur më shumë duhen ndihma financiare për sektorët më të goditur të ekonomisë siç është turizmi. Ky është një dështim i paprecedent, është një braktisje kriminale që i bëhet ekonomisë dhe është një mësim i madh jo vetëm për qeverinë që do të vijë, por për këdo tjetër, që njëherë e mirë të kthejmë vëmendjen, paratë, taksat tuaja te ekonomia.”
Për ta përmbyllur me:
“Duhet së pari të braktisim praktikat korruptive dhe të mbështesim me fonde ata që kanë nevojë më shumë se kurrë dhe ata që ia kthejnë taksapaguesit dhe ekonomisë çdo mbështetje që u jep shteti sot. Për turizmin, Partia Demokratike parashikon në planin e saj ekonomik, një mbështetje të shumëanshme. Po ne e dimë që kjo situatë nuk do të ndryshojë brenda javës, ndaj thirrja ime ndaj gjithë operatorëve turistikë është të bëhen bashkë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë të drejtën e tyre. Keni 20 vjet, 30 vjet që paguani taksa, tani është koha të ngrini zërin tuaj dhe të kërkoni drejtësi, nuk po kërkoni lëmoshë, kërkoni drejtësi, kërkoni mbështetjen e merituar, kërkoni një trajtim të paktën, siç e kanë operatorët turistikë të Malit të Zi, Maqedonisë.”
Shkruar nga: top-channel.tv