Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në Shqipëri ka njoftuar sot se ka zbuluar një laborator me 12 pajisje për prodhimin e kriptomonedhave në Malësinë e Madhe, qarku Shkodër.
Sipas OSHEE-së, laboratori është zbuluar gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e Malësisë së Madhe në një objekt që vidhte energji elektrike.
“Menjëherë janë njoftuar strukturat e Policisë se Shtetit për veprime te mëtejshme ligjore”, ka thënë OSHEE në një njoftim në Facebook.
Tregu i kriptomonedhave prej kohësh tashmë ka marrë një vëmendje të madhe globale, pasi ka një kapitalizim prej më shumë se 1 trilionë dollarësh.
Kjo vëmendje vjen jo vetëm nga fakti se ky treg po rritet me hapa të shpejtë, por edhe për faktin se bëhet fjalë për një sistem financiar të ri, që sfidon sistemin tradicional, dhe që në vetvete përbën shumë paqartësi.
Edhe në Shqipëri kriptovalutat kanë marrë vëmendjen e popullsisë, paçka se është një treg që operon në informalitet thuajse total.
/abc24.al/