Xhaçka takon Dendias, çështja e kufirit detar Shqipëri-Greqi pritet të referohet në Gjykatën e Hagës

0
5
Gjigandi

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot në një takim zyrtar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Xhaçka u shpreh se në takim u shkëmbyen mendime lidhur me intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke.

“Me Ministrin Dendias shkëmbyem mendime në lidhje me përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, të cilat duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, miqësisë midis dy popujve tanë, në respekt të interesave strategjike, partneritetit të ngushtë në NATO-s dhe perspektivës së përbashkët evropiane”, tha Xhaçka.

“Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, një vend ku jetojnë një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh, por që njëkohësisht mbetet partneri e mbështetësi i zëshëm i Shqipërisë në rrugën drejt progresit dhe integrimit evropian”, u shpreh Xhaçka.

“Dua të vlerësoj ndihmën e ofruar nga Greqia në përballimin e tërmetit dhe t’i rishpreh mirënjohjen dhe ta falënderoj edhe një herë Ministrin Dendias, që na u gjet personalisht pranë me ekipet e shpëtimit menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe rindërtimin e shkollës profesionale në kompleksin “5 Maji” në Tiranë”, theksoi Xhaçka.

“Të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh në nivele të ndryshme, pavarësisht situatës së krijuar nga Pandemia COVID-19. Ndërsa sot ramë dakord që me vullnet të përbashkët, të punojmë bashkërisht për të adresuar të gjitha problemet që duhet ende të zgjidhen, dhe që janë në interes të dy vendeve tona, por më së pari në interes të qytetarëve tanë”, tha Xhaçka.

Ministrja u shpreh se, “pjesë e diskutimeve ishte dhe komuniteti i qytetarëve tanë në Greqi, me mbi 600 mijë shqiptarë, që punojnë dhe kontribuojnë atje, duke qenë komuniteti më i madh i të huajve. Vlerësuam integrimin e tyre në shoqërinë greke, por diskutuam edhe mbi adresimin e çështjeve që lidhen me mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, mësimin e gjuhës shqipe, shqiptarët që vuajnë dënimet në institucionet greke dhe çështje të tjera konsullore që do të lehtësojnë lëvizjen dhe jetën e shtetasve tanë”.

“Ministri Dendias më informoi se ka planifikuar një tur vizitash në rajon, duke e nisur nga Shqipëria. Duke falënderuar Ministrin e sigurova se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë një politikë aktive, të moderuar, të udhëhequr nga synimi për një integrim euro-atlantik rajonal, si dhe për një integrim ekonomik. Ne ndamë të njëjtin mendim se integrimi Euro-atlantik mbetet një orientim i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm për të gjitha vendet e rajonit”, tha Xhaçka.

“Tashmë tre vende të Ballkanit Perëndimor janë vende anëtare në NATO dhe unë theksova vëmendjen e veçantë që merr ky fakt, ndikuar nga zhvillimet në Ukrainë, rëndësinë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të anëtarësohen, duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja theksoi se një çështje e rëndësishme që u diskutua ishte dhe integrimi evropian i Shqipërisë.

“Gjej rastin të falënderoj Greqinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme për perspektivën evropiane të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me marrjen e datës për konferencën e parë ndërqeveritare. Mbështetja e vazhdueshme Greqisë, duke shënuar një pikë kulmore me Samitin e Selanikut gati 20 vjet më parë, mbetet një dëshmi e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë dhe rajonit në BE është një synim i ndërsjellë e strategjik”.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze të BE-së”, nënvizoi Xhaçka.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare ishin në fokus të diskutimit të sotëm. Ne e vlerësojmë Greqinë si një partner ekonomik shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe gjuha e shifrave tregojnë se Greqia vazhdon të jetë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe investime të huaja direkte. Pandemia i vuri në sprovë ekonomitë tona dhe provoi që bashkëpunimi i ngushtë midis institucioneve dhe bizneseve tona bëri që ta përballojmë deri tani me sukses këtë situatë. Sigurisht që mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve janë më te mëdha dhe duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim”, tha Xhaçka.

“Vlerësuam bashkëpunimin tonë në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, si dhe mbështetjen reciproke te kandidaturave tona ne organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu, falënderova Greqinë për mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë si një vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe shpreha bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Xhaçka.

Gjithashtu ministrja u shpreh se, “temë e diskutimit ishte edhe situata në Ukrainë ku në këtë situatë të vështirë dëshiroj të rikonfirmoj edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

“Kjo luftë nuk është vetëm një luftë për mbijetesën e Ukrainës, por një luftë për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian. Duhet bërë më shumë për të ndaluar luftën e pajustifikuar ndaj Ukrainës. Me Ministrin Dendias ne ndajmë qëndrim të njëjtë në dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe solidarizohemi në shprehjen e keqardhjes dhe ngushëllimeve tona për humbjen e jetës së shumë banorëve të Mariupolit, përfshi ata me origjinë greke”, tha Xhaçka.

“Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe ajo e delimitimit të zonave detare, e cila paraqet interes për të dy vendet tona, pasi lidhet me ushtrimin e sovranitetit territorial dhe te drejtat sovrane në hapësirat detare respektive. Rikonfirmuam dhe njëherë vullnetin tonë për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqësore, siç është Gjykata Ndërkombëtar e Drejtësisë”, theksoi Xhaçka.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, mund të shërbejë si një shembull i qasjes konstruktive me të cilën vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam”, përfundoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në anën e tij, Dendias u shpreh se Greqia dhe Shqipëria duan ta zgjidhin çështjen e delimitimit të zonave detare në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Dendias tha se, “është gëzim i madh për mua që gjendem sot sërish këtu, që gjendem sërish në Tiranë, në atdheun e Skënderbeut, heroin e viteve tona të vegjëlisë. Tirana është stacioni i parë i turit tim në Ballkanin Perëndimor”.

“Mendoj se përtej rëndësisë që ka për dy vendet tona dërgon edhe një mesazh shumë të rëndësishëm tek të gjithë vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur dhe mënyra e saktë për të zgjidhur divergjencat tona. Dhe është e rëndësishme sesi ne do të përshpejtojmë hapat për të përmbushur pjesën teknike në mënyrë që të depozitojmë sa më shpejt dokumentet në Gjykatën e Hagës”, shtoi ai.

“Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë, madje dhe abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi dhe ne duhet të bashkëpunojmë këtu në mënyrë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Sigurisht dua të jem i çiltër me ju, kjo do të thotë që ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, çështje që kanë të bëjnë me palën greke dhe që ata duhet t’i diskutojnë. Dhe ne mendojmë se nuk janë gjërat fiks ashtu siç paramendohen. Mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese, sepse kjo gjë do na çojë në pasoja të niveleve të shumëfishta, ku Greqia pastaj do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë edhe me itinerarin tuaj në Evropë”, theksoi Dendias.

“Ne konsiderojmë se minoriteti grek këtu në Shqipëri, por edhe komuniteti shqiptar që punon dhe jeton në Greqi, përbën një urë lidhëse mes dy vendeve. Për këtë arsye ne duhet të diskutojmë. Ndaj edhe diskutuam çështje që i referohen këtyre dy grupeve, minoritetit grek dhe komunitetit shqiptar në Greqi. Dhe kuptoj gjithashtu shumë mirë çështjen e pensioneve. Është shumë e rëndësishme që ne ramë dakord që të diskutojmë dhe t’i vendosim në një itinerar zgjidhjesh këto çështje që merren me shumë njerëz që kanë kontribuuar në ekonomitë tona reciproke”, vijoi ai.

“Sot kisha gëzimin të takoj edhe anëtarë të minoriteti grek të Himarës, sot në mëngjes, të cilët më dhanë mua zërin e tyre për problematikat e tyre dhe janë gjëra që duhet t’i diskutojmë së bashku. Gjithashtu kisha nderin të takoj dhe Hirësinë e tij Kryepeshkopin e Tiranës dhe Durrësit, Anastas, me të cilin kishim një diskutim të gjatë”, tha Dendias

Sa i përket diskutimit për marrëdhëniet ekonomike, Dendias tha se, “iu referuam tregtisë dypalëshe, ekonomisë. Si mund t’i japim progres ekonomisë së dy vendeve dhe si mund të thellojmë më tepër marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Diskutuam gjithashtu çështje që kanë të bëjnë me energjetikën”.

“Diskutuam çështje që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë. Dhe lufta në Ukrainë është një pjesë që Shqipëria po e menaxhon dhe në Këshillin e Sigurimit”, tha ai.

Dendias përgëzoi Shqipërinë sepse, u shpreh ai, “si aleat madje dhe si vend anëtar që do të integrohet në BE, ka adoptuar të gjithë ato vendime të BE-së. Madje mendoj se Shqipëria mund të jetë shembull edhe për vende të tjera të cilat nuk ndjekin taktikën shqiptare. Domethënë që të jetë tërësisht e harmonizuar me pozicionet e familjes evropiane”.

Për perspektivën evropiane të Shqipërisë, Dendias tha se, “Greqia e mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe është tërësisht dhe absolutisht e predispozuar t’i ofrojë ndihmë teknike Shqipërisë”.

“Ne mendojmë se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një rrugë me një kalim. Dhe kryesisht në konjukturat e tanishme, ku kujdesi që ne kemi për Ukrainën i tregon pikërisht këtyre forcave që të destabilizojnë rajonin tonë të gjerë. Dhe mendoj se së bashku ne duhet të bashkëpunojmë që të mos lejojmë një gjë të tillë. Pra të ndërtojmë një të ardhme evropiane të paqes, të stabilitetit, të prosperiteti, të bashkëpunimit në zonën tonë”, tha Dendias.

/abc24.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu