Analisti politik Faton Abdullahu dhe djali i ish kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (1993-2000), Rexhepit (që vdiq në tetor të vitit 2008), ka bërë një përshkrim interesant për legjendën Fadil Vokrri, që ndërroi jetë para dy viteve përkatësisht me 9 qershor.
“Histori e shkruar me top
Vokrri – Vokrri – Vokrri – ka ushtuar dikur stadiumi dhe krejt Prishtina nga thirrjet e mijëra tifozëve që mbushnin çdo cep të tij, sa herë ka luajtur KF Prishtina kundër ekipeve të ndryshme të Jugosllavisë. Prishtina kishte festë kur lunte futboll Vokrri. Kur Vokrri driblonte dhe kalonte disa mbrojtës, kur ai asistonte golin, kur shënonte gol, 30 mijë e më shumë shikues ngriteshin në këmbë. Ishte mahnitëse, rrënqethëse, çfarë ndjenje, cfarë uniteti. E papërsëritshme.
Faton Abdullahu
Në ato rrethana futbolli në Kosovën e okupuar në Jugosllavi nuk ishte vetëm sport, ishte edhe protestë e Prishtinës dhe e krejt Kosovës, edhe rezistencë kundër diskriminimit të shqiptarëve që po shtohej, edhe kërcënim se ne shqiptaret mund të bëhemi bashkë edhe për sene tjera, e mbi të gjitha ishte shpresë e madhe. Dhe kësaj shprese dhe këtij uniteti i printe Fadil Vokrri me futboll brilant. Vetëm ai që e ka përjetu këtë në shkallët e stadiumit të Prishtinës mund ta kuptoj gjithë dimensionin e kësaj që po them.
Ngjashëm ashtu si sot, krenarinë dhe kënaqësinë, që po na i sjellin, sukseset në përmasa evropiane dhe më gjerë, Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi apo edhe futbollistët tanë në Evropë, ashtu dikur Fadil Vokrri na bënte krenarë dhe na shtonte vetbesimin se ne mundemi, se vetëm duhet të na jepet mundësia. Në të vërtetë më shumë se kaq.
Sepse kjo mundësi nuk na jepej në Jugosllavi, sepse diskriminoheshim vetëm pse ishim shqiptarë. Por në fushën e futbollit Vokrri e mundtte edhe kundërshtarin edhe diskriminimin. Ai u bë idol i rinisë jo vetëm kosovare. Mbi të gjitha ai i bënte shqiptarët bashkë, ai tregoj se kur jemi bashkë mund të bëjmë shumë. Ai ua shtoj atyre vetbesimin dhe krenarinë. Kjo ende nuk mund të bëhej jashtë sadiumit të Prishtinës. Kjo ishte histori të cilën ai e shkroj me futboll. Të tjerat dihen por edhe janë shumë të rëndësishme.
Roli i tij në Federatën e Futbollit dhe në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ai vdiq, por legjenda e futbollit nuk harrohet kurrë. Faleminderit për të gjitha Fadil Vokrri. Prehu në paqe”, shkruan Abdullahu në profilin e tij në facebook.