VOA/ Vazhdon dyzimi i forumeve në PD, Berisha merr pjesë në mbledhjen e deputetëve dhe praktikish…

0
VOA/ Vazhdon dyzimi i forumeve në PD, Berisha merr pjesë në mbledhjen e deputetëve dhe praktikish…
Gjigandi

Partia Demokratike e opozitës shfaqi edhe sot dyzimin e autoriteteve drejtuese të saj, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i përjashtuar nga kjo parti edhe si anëtar i thjeshtë, pas sulmit të dhunshëm të 8 janarit mbi selinë qendrore të saj, mori pjesë i paftuar në mbledhjen e grupit parlamentar, prej nga është përjashtuar më 9 shtator, pas shpalljes non grata nga SHBA për korrupsion.

Kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, zyrtari më i lartë në drejtimin e përkohshëm të PD-së, thirri mbledhjen e deputetëve të PD-së, duke njoftuar vetëm anëtarët e grupit, por zoti Berisha shkoi në mbledhje i paftuar dhe i panjoftuar, me pretendimin se përfaqëson komisionin e rithemelimit të PD-së, të njohur nga gjykata.

Partia Demokratike reagoi më pas publikisht se në mjediset e saj një grup personash po kryejnë veprime të paligjshme, siç i cilësoi Kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj.

Ai tha se kjo ishte “një atmosferë pushtimi” dhe se zoti Berisha “mori pjesë me dhunë mbledhje”, ndërsa figuron deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë dhe është përjashtuar nga grupi i PD-së.

Në selinë e PD-së vazhdojnë të zhvillojnë mbledhje edhe grupi parlamentar, prej nga ish kryeministri Berisha është përjashtuar, edhe komisioni i rithemelimit të partisë.

RonaTyra

Komisioni i rithemelimit ka marrë praktikisht nën kontroll selinë qendrore të partisë dhe funksionet e saj menjëherë sapo doli vendimi i gjykatës.

Ish kryeministri Berisha tha për mediat pas mbledhjes në mjediset e PD-së se, bazuar në vendimin e gjykatës, vendimi për përjashtimin e tij është i paqenë.

“Grupi i deputetëve është institucion legjislativ i Partisë Demokratike dhe është i hapur për debate nga më të ndryshmet. Unë mendoj se është një rast unik që Partia Demokratike të bashkohet edhe në diversitetin e vet dhe kjo e bën Partinë Demokratike edhe më demokratike”

– tha zoti Berisha.

Në deklaratën e PD-së të drejtuar nga Alibeaj thuhet se vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë dhe se PD do ta ankimojë, ndërsa kallëzoi në SPAK gjyqtarin që mori atë vendim.

PD deklaroi se pret vendimin e Gjykatës për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor dhe se Partia Demokratike do të zbatojë çdo vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ish kryetari Lulzim Basha, i cili dha dorëheqjen për të hapur rrugën, siç u shpreh ai, mundësive të bashkimit, mori sot pjesë në seancën plenare të Kuvendit, por nuk shkoi në mbledhjen e grupit të deputetëve, për të shmangur ngjarje që ai i quajti konfliktuale dhe të padobishme.

Zoti Basha vendosi të përjashtojë në shtator ish kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar pasi ai, së bashku me familjen, u përcaktua nga SHBA si person i papërshtatshëm për të vizituar SHBA për shkak të korrupsionit dhe cënimit të institucioneve demokratike.

Ish kryetari Basha deklaroi se PD nuk do të vërë asnjëherë në dyshim vendime të tilla nga SHBA, vend mik dhe aleat strategjik, dhe në Kuvendin e 18 dhjetorit u vendos të largohen nga forumet drejtuese drejtuese të PD-së të gjithë personat që janë shpallur non grata nga SHBA.

Ai kërkoi shpesh në Kuvend vetting mbi pasuritë e politikanëve, dhe deklaroi pas ngjarjeve të dhunshme të 8 janarit mbi selinë qendrore se PD ishte ndarë nga berishizmi dhe kishte zgjedhur të ardhmen.

Por PD është aktualisht e dyzuar mes dy kuvendesh, dy autoritetesh drejtuese dhe është në pritje të vendimeve gjyqësore për të sqaruar statusin e forumeve, ndërsa vullnetet politike brenda mjediseve të saj ende nuk janë përbashkuese në ndonjë formë të qartë.

Diplomatë të SHBA kanë deklaruar se Uashingtoni i trajton shumë seriozisht çështjet e korrupsionit, të cilat i ka vendosur si përparësi themelore, dhe se nuk do të takohen me zotin Berisha, e as do të komunikojnë me PD-në, nëse ai rimerr në dorë atë./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu