Ish-sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, ka zbuluar se trajneri Sir Alex Ferguson ishte faktori vendimtar që e bindi atë t’i bashkohet Manchester Unitedit dhe të refuzojë oferta nga Manchester City dhe Juventusi.
Holandezi iu bashkua Djajve të Kuq nga rivali Arsenal në vitin 2012 për 22 milionë funte dhe arriti t’i ndihmojë Manchester Unitedit ta fitojë titullin e 20-të të Premierligës me 26 golat e tij në sezonin debutues në Old Trafford.
Para transferimit në Old Trafford, Van Persie i kishte edhe 12 muaj të mbetur në kontratën e tij në Emirates Saadium, ndërsa për t’i siguruar shërbimet e tij kishin shprehur fillimisht interesim Manchester City dhe Juventusi.
Megjithatë, Manchester Unitedi gjithashtu hyri në këtë garë kur u bë e qartë se Van Persie dëshironte me të vërtetë të largohej nga Arsenali. Tani holandezi ka zbuluar se ishte pikërisht trajneri Ferguson dhe mentaliteti fitues që ai e kishte që e detyroi atë ta zgjidhte Unitedin.
“Ferguosni e bëri dallimin për mua, më bindi ta zgjedhë Manchester Unitedin për shkak të mënyrës se ai e menaxhonte skuadrën, historive që i kisha dëgjuar, për shkak të lojtarëve që ishin aty”, ka thënë Van Persie.
“Unë me të vërtetë doja të fitoja dhe kur e shikoja atë skuadër me Giggsin, Carrickun, Scholesin, Vidicin, Ferdinandin… ata ishin të gjithë fitues, kishin fituar gjithçka”.
“Unë mendova më vete: “Unë dua të jem pjesë e kësaj”. Unë isha në atë periudhë të jetës ku ndihesha si fitues, por nuk isha me të vërtetë kështu që duhet të fitoja. Unë duhet të shkoja te një skuadër që dinte si të fitonte”.