Kush e di se çfarë emocionesh do ketë ndierë Xhordan Henderson teksa ngrinte në qiellin e “Anfield” trofeun e Premier Ligës për Liverpulin.
“Të ecje këtu ishte fantastike. Djemtë e merituan momentin e tyre me këtë ceremoni. Fatmirësisht familjet ishin këtu dhe na panë. Kjo është diçka e madhe për ne. Ishte një sezon i shkëlqyer, të kurorëzoheshe në këtë mënyrë ishte speciale. E nisëm shumë mirë dhe me kalimin e ndeshjeve u forcuam dhe fituam vetëbesim, u bëmë më të pamëshirshëm. Gjetëm një mënyrë për të fituar në shumë raste dhe kjo ka të bëjë me mentalitetin.
Djemtë ishin të shkëlqyer gjatë gjithë sezonit dhe e meritojnë këtë që po marrin tani”, tha kapiteni i Liverpulit. “E kam ëndërruar këtë moment. Ka qenë një ëndërr të fitoj Premier Ligën dhe prandaj erdha këtu. Sezonin e shkuar grumbulluam 97 pikë dhe nuk fituam. Ishte diçka e vështirë për t’u kapërdirë.
Por pak javë më vonë reaguam dhe fituam Champions-in dhe e nisëm sezonin e ri me një punë të papërfunduar.
Ishte një sezon i shkëlqyer. Ky titull është edhe më i ëmbël se Champions-i. Jam me fat që jam pjesë e këtij klubi që e fitoi titullin pas 30 vitesh. Kanë kaluar 5 vite që kur trajneri erdhi dhe çdo lojtar është bërë pjesë e këtij rrugëtimi”, përfundoi mesfushori veteran.