Kjo është zonja Rozeta Zoto, një ish punonjëse policie që kërkon të drejtën e saj për tokën prej vitesh. Historia e saj, është një prej dramave të shumta përçarëse që ka sjellë zbatimi abuziv i ligjit 7501 deri edhe brenda së njëjtës familje.
“Me ligjin 7501 unë dhe djali im, jena trajtuar me tokë, 1.6 dynymë unë e 1.6 djali. Toka ime dhe e çunit tim ndodhet pas shpatullave të mija”, rrëfen Rozeta Zoto, denoncuese. Ajo sot akuzon ish – bashkëshortin Jovan Bardhi se i ka grabitur tokën e saj dhe të djalit, Mikelit.
“Unë jam divorcuar në 20 janar ‘90 dhe figuroja si shtetase banore Shinavlash, me daljen e ligjit 7501 jam trajtuar me tokë unë me djalin, tokë që asnjëherë nuk e disponova dhe nuk e mora dot, pasi toka është tërhequr nga ish – bashkëshorti im”, rrëfen Rozeta Zoto, denoncuese.
Rozeta disponon edhe vërtetime nga pushteti lokal që ajo dhe djali janë trajtuar me tokë sipas ligjit 7501. Në certifikatën familjare të 1 gushtit të vitit 1991, Rozeta vërteton se familja përbëhet nga ajo dhe djali Mikeli. Me aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të 25 Qershorit të vitit 1991, Jovan Bardhi, që njihet edhe me emrin Jani ka marrë 5800 metër tokë e ndarë në 3 certifikata pronësie.
Në vitin 1993, Jovani martohet sërish. Pas disa vitesh, ai shet tokën ku sot pretendon bashkëshortja e tij e parë dhe djali nga martesa e parë. Siç rezulton në kontratat e shitblerjes, mes firmëtarëve rezulton edhe bashkëshortja e tij e dytë.
Në fakt, ajo nuk ishte pjesëtare e familjes së Jovanit në 1 Gusht të vitit 1991 siç përcaktohej në ligjin 7501, pra, nuk mund të kishte qenë bashkë-përfituese. Po ashtu, ai ka marrë autorizim nga gjykata për tjetërsimin e pronës në emër të fëmijëve nga martesa e dytë. Aty mungon emri i Mikelit, djalit që kishte me Rozetën.
Rozeta i është drejtuar gjykatës por as aty nuk ka gjetur zgjidhje. Ajo thotë se ka pasur presione të shumta. “Gjykata e ka mbyllur çështjen e thotë që s’të takon, thotë tërhiqu, je ankuar shumë vonë, je me vonesë, tërhiqu..se kanë qenë edhe të lidhur me pushtetin vendor, kanë qenë të lidhur”, rrëfen Rozeta Zoto, denoncuese.
Burimi: top-channel.tv