Sa më shumë që gjarpëron makina e Top Story në rrugën drejt Leskovikut aq më shumë hapet para nesh madhështia e natyrës së vendit tonë. Ndalesën e radhës Top Story e ka në agroturizëm. Ky biznes është zhvilluar ndjeshëm kohët e fundit. Por situata për ta është në disfavor. Shumica e produkteve bio që prodhojnë gjatë viti, po u prishen.
“Duke qenë se jemi një biznes i vogël që çdo ditë rritemi me ato që kursejmë gjatë vitit nuk është se kemi shumë rezerva që të mbijetojmë. Mbijetuam ato ditë që ishim të izoluar por tani duhet një farë mbështetje”, thotë Jonida Hëna, Administratore Bujtine, Kolonjë. Në ajrin e pastër të maleve që rrethojnë vendin si dhe të fushave që shtrihen para nesh, nuk është ndier shumë frika e virusit. Kjo edhe për faktin se në këtë zonë nuk ka patur asnjë rast të prekur me Covid 19. Dëmi që ka shkaktuar virusi është vetëm ekonomik. Vendi nuk ka më fluksin e turistëve që ka patur, madje nuk sheh fare turistë në rrugë.
“Taksat nuk janë shtyrë për sivvjet. Çdo gjë është paguar dhe bile janë paguar brenda datave dhe pse nuk kishim mundësi të lëviznim”, thotë Jonida Hëna, Administratore Bujtine, Kolonjë. Çuditërisht në këtë kohë pandemie është shtuar edhe një taksë për turizmin. Çdo banor dhe biznes i Kolonjës duhet të paguajë këtë taksë. Ndërkohë që pushteti vendor nuk ka rregulluar as rrugën në mënyrë që të lehtësojë ardhjen e turistëve.
“Mund të them që sivjet janë edhe disa taksa të reja. Taksa e turizmit përshembull është taksë e re që e paguajmë si ne siç do fshatar i Kolonjës”, thotë Jonida Hëna, Administratore Bujtine, Kolonjë. Përveç bizneseve që kanë pësuar humbje nga Covid 19, më të prekurit mbeten të punësuarit në këtë sektorë. Në të gjithë botën 1,6 miliardë njerëz punojnë në ekonominë informale. Këta njerëz po vuajnë një rënje të të ardhurave me 60% dhe mund të mos kenë më kursime për të mbijetuar.
Varfëria që ka vendi, bën që shumë njerëz të punojnë për bukën e gojës. “Këta punëtorët sezonal që marrim duhet ti kishim marrë dy muaj para s’po i marrim. Po mbajmë vetëm atë ekipin bazë që është i domosdoshëm”, tregon Jeton Hida, Administrator Ferme, Kolonjë
“Dëmi është shumë i madh, është me pikëpyetje frika vazhdon, nuk di se çfarë të bësh çfarë hapa të hedhësh. Në këtë periudhë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar duhet të ishin tre kamerierë, katër zonja në pastrim de kuzhinë. Ndërsa tani është vetëm një kamerier, një zonjë dhe unë që mundohemi të bëjmë të gjitha punët”, thotë Jonida Hëna, Administratore Bujtine, Kolonjë.
Burimi: top-channel.tv