Lufta në Ukrainë dhe rreziku i influencës ruse në Ballkanin Perëndimor, e ka kthyer rajonin sërish në vëmendjen e Perëndimit.
Pas përfaqësuesit të lartë të BE, Joseph Borrell, sot Tiranën do ta vizitojë për herë të parë i dërguari i Posaçëm i sapoemëruar i qeverisë gjermane për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhacka, si dhe deputetë, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile.
Sarrazin u shpreh paraprakisht vizitës së tij: “Për mua është shumë e rëndësishme që fill pas marrjes së detyrës si i Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane të vizitoj personalisht të gjitha vendet e rajonit. Me këtë dua të bëj të qartë se Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin janë të një rëndësie strategjike për Gjermaninë. Kjo ka prioritet të lartë.
Qeveria Federale po angazhohet me gjithë forcën e saj për nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën shkruhet në postimin e ambasadës gjermane.
Edhe me qeverinë e re të kancelarit Olaf Scholz, Republika Federale e Gjermanisë mbetet një partner i ngushtë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Manuel Sarrazi do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën rajonale “Balkan Dialogues”.