UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë po zbaton programin 4-vjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian, BEpërKulturën (EU4Culture): “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, 2020-2024.”
Kjo nismë synon të zbusë ndikimin e tërmetit në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, duke rijetëzuar e shtuar vlerën objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti, e si rrjedhojë duke ndihmuar në nxitjen dhe rimëkëmbjen social-ekonomike të Shqipërisë përmes rritjes së potencialit turistik të vendit.
Në kuadrin e Skemës së Granteve, UNOPS shpall Thirrjen e Parë Publike për Projekt-Propozime për zhvillimin Socio-Ekonomik Lokal nëpërmjet Trashëgimisë Kulturore.
Nëpërmjet kësaj Thirrje për Projekt-Propozime, programi EU4Culture do të financojë projekte që do të zbatohen nga organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e tjera jofitimprurëse (OJF-të) e interesuara. Projektet e financuara do të përqendrohen në veprime që synojnë të përmbushin këto objektiva:
-Mbështetja e mundësive të rritjes socio-ekonomike për komunitetet lokale pranë vendeve të trashëgimisë kulturore duke lidhur kulturën me mjedisin dhe format inovative të turizmit;
-Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe institucional mbi rolin e trashëgimisë kulturore si një shtytës për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik, përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore.
Projektet e miratuara do të marrin financime që variojnë nga 30,000 deri në 60,000 USD. Periudha e zbatimit do të zgjasë nga gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj, duke filluar nga muaji maj 2022. Projektet do të zhvillohen në Durrës, Krujë, Kavajë dhe Rrogozhinë, në afërsi të zonave të projektit EU4Culture.
Të gjitha organizatat pjesëmarrëse duhet të jenë të regjistruara ligjërisht si organizata jofitimprurëse (OJF) duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, shoqatat e artizanëve, shoqatat e operatorëve turistikë, shoqatat e biznesit ose ndërmarrjet sociale, qendrat dhe laboratorët e inovacionit të kulturës, biznesit dhe turizmit (vetëm kur janë të regjistruar si jo-fitimprurëse), si dhe institutet kërkimore dhe qendrat akademike (vetëm kur regjistrohen si jofitimprurëse).
Subjektet e interesuara mund të aksesojnë udhëzimet zyrtare për aplikim dhe paketën e plotë të aplikimit për këtë Thirrje në linkun https://eu4culture.al/call-for-proposals/.
Periudha e aplikimit do të jetë e hapur deri më 15 mars 2022.
Shënim:
Misioni i UNOPS-it është të ndihmojë njerëzit të ndërtojnë jetë më të mirë dhe vendet të arrijnë paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ne ndihmojmë Kombet e Bashkuara, qeveritë dhe partnerët e tjerë për të menaxhuar projektet dhe për të ofruar infrastrukturë dhe prokurime të qëndrueshme në një mënyrë efikase. Lexo më shumë: https://www.unops.org/albania