Tërmeti dhe zjarret/ Shqipëria drejt anëtarësimit në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE

0
14
Gjigandi

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako, pritën në një takim në ambientet e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, Komisionerin Evropian për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarčič.

Takimi u zhvillua në kuadrin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (Union Civil Protection Mechanism/ UCPM).

Ky takim u zhvillua pas takimit të z. Lenarčič me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u shpreh vullneti i vendit tonë për t’u bërë pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Më pas, ministri i Mbrojtjes dhe Komisioneri Evropian për Mbrojtjen Civile të BE-së iu drejtuan ambienteve të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Gjatë këtij takimi, z. Peleshi u theksoi se anëtarësimi në këtë mekanizëm është një hap i rëndësishëm për forcimin bashkëpunimit dhe bashkërendimit në nivel evropian dhe përmirësimit të sistemit të mbrojtjes civile dhe menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë.

Ministri i Mbrojtjes informoi komisionerin Evropian për Mbrojtjen Civile mbi zhvillimet e fundit dhe reformimin e sistemit të Mbrojtjes Civile në rang kombëtar me synim përballimin sa më efikas të krizave në shkallë të gjerë.

Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohjen e thellë mbi kontributin dhe solidaritetin e treguar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE në momente të vështira që ka kaluar vendi ynë gjatë tërmetit të vitit 2019, pandemisë COVID-19 dhe zjarreve në stinën e verës. Gjatë këtij takimi u theksua fakti se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe këtij mekanizmi në fushën e mbrojtjes civile do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen.

Anëtarësimin, ministri Peleshi e kishte njoftuar edhe në emisionin “Open” pak ditë më parë, teksa debatohej për reagimin e emergjencave civile në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit.

“Unë sot kam vizituar qendrën operacionale të emergjencave civile të Greqisë dhe kemi diskutuar për bashkëpunim në rastet e emergjencës. Ne gjithashtu kemi marrëveshje me mekanizmin europian sepse vitin e kaluar ka qenë një model bashkëpunim. Vitin e kaluar kanë ardhur 3 helikopterë. Një holandez dhe dy çekë. Ne s’jemi anëtarë me të drejta të plota të mekanizmit megjithëse e përdorim atë. Nëse do të bëhemi anëtar do të jemi. S’jemi aspak në dorë të zotit, jemi në dorë të mekanizmit”, shprehej ministri në “Open” pak ditë më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu