Në sipërfaqe si doreza, gota qelqi, pjata dhe ekrane smartfonësh, koronavirusi mund të rezistojë nga minimumi 3 sekonda në një maksimum prej 2 minutash. Gjithçka varet nga materialet, temperatura dhe lagështia. Këtë e pohon një kërkim i publikuar në revistën Physics of Fluids, kryer në gjashtë qytete në Amerikë, Azi dhe Australi dhe të koordinuar nga instituti indian i teknologjisë në Bombei.
Rezultatet e këtij studimi mund edhe të shpjegojnë përhapjen e ngadaltë apo të shpejtë të infeksionit në një qytet të veçantë, krahasuar me të tjerë. Ky mund të mos jetë faktori i vetëm, por sigurisht që ka rëndësi në shkallën e rritjes së infeksioneve – kanë thënë kërkuesit.
Pasi stërklat që transportojnë virusin avullojnë, shpjegojnë kërkuesit, virusi i mbetur vdes më shpejt, pra mbijetesa dhe transmetimi ndikohet drejtpërsëdrejti nga koha në të cilën stërklat mbeten të paprekura.
Për këtë qëllim, kërkuesit kanë ekzaminuar kohën e avullimit të stërklave të pështymës në disa lloje sipërfaqesh në Nju Jork, Çikago, Los Angeles, Majemi, Sidnei dhe Singapor, që kanë temperatura dhe nivele të ndryshme lagështie. Dhe kanë zbuluar se temperatura e ambjentit më e lartë, than më shpejt stërklat duke reduktuar mundësinë e mbijetesës së virusit.
Ndërsa në vendet me më shumë lagështi, stërklat qëndrojnë më gjatë në sipërfaqe dhe mundësia e mbijetesës së virusit, rritet. Në temperaturën 25 gradë, koha e avullimit për stërklat e vogla është 6 sekonda dhe shkon në 27 sekonda për stërklat e mëdha. Në temperaturë 40 gradë, koha e avullimit reduktohet me 50 për qind.
Por koha e avullimit rritet thuajse me 7 herë me rritjen e lagështisë nga 10 në 90 për qind. Si pasojë, kërkuesit thonë se ku mund të jetë një problem me rritjen e lagështisë në zonat bregdetare gjatë verës dhe në vendet e azisë ku mes korrikut dhe shtatorit është sezoni i musonëve.
Burimi: top-channel.tv