Shtatë muaj pas lamtumirës nga Feyenoord, Jaap Stam ka gjetur një stol të ri. Ish-qendërmbrojtësi i Lazio dhe Milanit në Serie A po përgatitet të fluturojë drejt SHBA, për t’u bërë trajneri i ri i Cincinnati, skuadrës që garon në MLS. Sipas “Telegraaf”, nënshkrimi mes palëve do të arrijë menjëherë. Bëhet fjalë për një kontratë 1.5-vjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Për më tepër, presidenti i klubit amerikan, Jeff Berding, tashmë e ka konfirmuar holandezin për “Cincinnati Enquirer”: “Trajneri ynë mund të jetë Jap Stam. Unë nuk dua ta konsideroj kandidatin e vetëm, por është kandidati kryesor”.
Stam, mbush 48 vjeç në korrik, po përgatitet për aventurën e tij të katërt në stolin e një skuadre të pare. Pas eksperiencës me të rinjtë e Ajax, ai drejtoi anglezët e Reading, PEC Zwolle dhe Feyenoord. Nga kjo e fundit u largua tetorin e kaluar, duke e lënë skuadrën në vendin e 12-të të renditjes.
Në stolin e Cincinnati do të zëvendësojë bashkatdhetarin e tij, Ron Jans, i cili u shkarkua në shkurt për shkak të një episodi të pretenduar racist. Një tjetër holandez është drejtor teknik i klubit, Gerard Nijkamp, i cili më parë ka punuar me Stam te Zwolle.