Betim Haxhimusa e ka vazhduar kontratën me Dritën edhe për dy vjet të tjera, ka njoftuar sot klubi nga Gjilani.
Sulmuesi nga Ferizaj ka nënshkruar kontratë me liderët e Ipko Superligës deri në verën e vitit 2022.
“Sot klubi jonë ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Betim Haxhimusen edhe për dy vitet e ardhshme, kështu që Betimi do të jetë me ne deri në vitin 2022”, shkruhet në njoftimin e Dritës.
Drejtori sportiv i bardhekaltërve, Valon Zymberi, ka thënë se është i lumtur që një lojtar i rëndësishëm si Haxhimusa do të jetë pjesë e Dritës edhe për dy vjet të tjera.
Haxhimusa, i cili më 2018 iu bashkua Dritës nga rivali i qytetit Gjilani, i ka shënuar 9 gola dhe i ka dhënë 2 asiste në 23 ndeshje deri tani këtë sezon.
Ai do të përpiqet ta ndihmojë Dritën, e cila prin në Superligë me një pikë më shumë se Ballkani dhe dy më shumë se Prishtina, ta fitojë titullin këtë sezon.