Shtyhet për herë të dytë vendimi i ankimit për Lulzim Alushajn në Apelin Administrativ, pas eleminimit të tij nga gara për prokurorin e përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi për shkarkimin e Alushajt pasi nuk plotësonte kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur.Kësaj radhe shkak për shtyrjen e seancës ishte fakti se gjyqtares i ka vdekur i ati, dhe nuk mund të ishte e pranishme në sallë.Kjo është hera e disatë që procesi për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm zvarritet, ndërsa mbeten ende tre emra të konfirmuar në garë: Olsian Çela, Arta Marku dhe Fjona Memçaj.Pavarësisht se ngritja e SPAK dhe zgjedhje e prokurorit të përgjithshëm ishin premtuar se do të zgjidheshin përpara pushimeve të verës, duket se dhe ky vit do të mbyllet me Arta Markun në krye të organit të akuzës, pavarësisht se u zgjodh për një mandat të përkohshëm.