Shqipëria, pritshmëri të larta ndaj BE-së dhe ndaj drejtësisë së re

0
Shqipëria, pritshmëri të larta ndaj BE-së dhe ndaj drejtësisë së re
Gjigandi

Dy ditë para vizitës në Ballkanin Perëndimor të komisionerit Europian për zgjerimin, Oliver Varhejli, Shqipëria shprehu sërish pritshmëritë e saj të larta ndaj Bashkimit Europian.

Ekspertët e pavarur pohojnë se Tirana përmbushi kërkesat për çeljen e negociatave, por BE po shfaqet e dobët në rajon me shtyrjet e shpeshta të procesit.

Kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, tha sot në një tryezë me ministrinë e drejtësisë se Tirana ka bërë përpjekje të mëdha për të përparuar në këtë proces me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe reformimin e administratës publike.

Ambasadori Mazi theksoi se procesi i integrimit është një maratonë me etapa dhe detyra, por sa i takon çeljes së negociatave, kërkesat janë përmbushur.

RonaTyra

“Ecuria pozitive e reformave dhe përmbushja e kërkesave dhe kritiereve bëri që në vitin 2020 të 27 vendet anëtare të Këshillit të shprehen dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Situata ku ndodhemi sot nuk ka të bëjë me realizimin ose mosrealizime të vendit tonë. Për ne kapitulli i mosrealizimeve është i mbyllur. Fokusi ynë tani është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare sa më parë, mundësisht brenda qershorit të këtij viti” – thotë zoti Mazi.

Ekspertë të pavarur mendojnë se mundësitë janë që në qershor të ketë një zhbllokim të situatës, por asgjë nuk dihet saktë.

Drejtuesi i organizatës Lëvizja Europiane e Shqipërisë, Gledis Gjipali, thotë se hapja e negociatave për Tiranën dhe Shkupin është tani një çështje sigurie dhe kredibileti për Bashkimin Europian, sepse shtyrjet e shpeshta kanë sjellë zhgënjim në rajon, ndërsa komisioneri europian për zgjerimin, Oliver Varheli, pritet të sjellë mesazhe inkurajuese gjatë vizitës pas dy ditësh në rajon.

Mbi këtë bllokim të padrejtë të Tiranës e Shkupit mund të ndikojë pozitivisht solidariteti që nxiti mes vendeve anëtare të BE-së lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, thotë zoti Gjipali.

“Në një konflikt të tillë, që prek gjithë Europën, si ai midis Rusisë dhe Ukrainës, duhet që BE t’i japë zgjidhje patjetër këtij ngërçi në Ballkan, duhet të ketë një angazhim shumë më të fortë politik që të zhbllokojë situatat e krijuara dhe të japë një vizion të qartë se ku është e ardhmja e këtyre vendeve, që Europa është e gatshme t’i mirëpresë sipas afateve dhe kritereve. Aktualisht ka nevojë për një ripropozim të integrimit europian të gjithë Ballkanit perëndimor, sepse procesi ëhstë në një stanjacion të plotë” – thotë zoti Gjipali.

Zoti Gjipali thotë se në Bosnje ka forca që ecin në të kundërt me BE-në, në Kosovë shtyhet padrejtësisht liberalizimi i vizave, në Tiranë e Shkup padurimi për integrimin është i madh, por BE shfaqet e dobët në Ballkan. Po ashtu Podgorica e Beogradi kanë 10 vjet që negocionojnë, dhe sipas sondazheve në Serbi më shumë njerëz janë kundër BE-së se sa pro saj, thotë ai.

Drejtësia është ajo që u reformua më shumë dhe ku pritshmëritë e publikut janë më të larta.

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja, tha për shtypin se harta e re gjyqësore shumë shpejt do të jetë në qeveri, pas një konsultimi brenda kësaj jave mbi kostot e saj.

Ai theksoi se autoritetet po marrin masa që vendet e shumta bosh nëpër gjykata dhe prokurori të shkaktuar prej procesit të vetingut të mos e bllokojnë punën e sistemit gjyqësor.

“Nuk do të ketë bllokim të gjyqësorit. Shkolla e Magjistraturës, ministria e drejtësisë si politikëbërëse në proces dhe monitoruese e reformës në drejtësi, KLGJ dhe KLP, kemi një strategji të qartë për një funksionim normal të sistemit të drejtësisë në Shqipëri” – thotë zoti Manja.

Studiuesit besojnë se një rol të madh në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE luajnë edhe Gjykata e Posame dhe Prokuroria e Posacme SPAK. Drejtuesi i Qendrës për studimin e demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishi, thotë në një tjetër takim mbi sistemin gjyqësor se pritshmëritë ndaj drejtësisë pas reformimit janë të natyrshme për shkak se shkeljet ligjore dhe padrejtësitë janë të shumta.

“Vendosur në kontekstin e anëtarësimit në BE, meqenëse krimi i organizuar dhe korrupsioni janë prioritete kyçe, për hapjen e negociatave dhe vazhdimin më tej, shihet se shkalla e përgatitjes së vendit për zbatimin e ligjeve të BE-së, në këto 6 vite para reformës dhe pas reformës mbetet në të njëjtin nivel përgatitje” – tha zoti Dyrmishi.

Këshilli Europian rekomandoi dy vjet më parë çeljen e negociatave për anëtarësim të plotë me Shqipërinë, por veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut frenoi procesin, duke prekur edhe Shqipërinë./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu