Më në fund, çelet “drita jeshile” edhe për Kategorinë e Parë. Më 7 qershor është ristarti për këtë ligë. Një vendim i dakordësuar nga FSHF-ja dhe klubet në takimin e djeshëm dhe që pret edhe OK-in e qeverisë. Në lidhje me situatën dhe rifillimin e aktivitetit flet enkas për “Panorama Sport” presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima.
Z.Kokëdhima, më në fund një datë për rifillimin e garës… Sipas jush, a është kjo formula dhe periudha më e mirë e mundshme?
Pa dyshim që po. Duhet që aktiviteti ekonomik, kulturor, sportiv në Shqipëri patjetër të zhvillohet. Nuk mund të mbahet gjithë kohën e bllokuar Shqipëria, sepse pasojat do të ishin shumë të rënda. Është vendim shumë i drejtë për të hapur kampionatet dhe për t’i mbyllur garat në fushë.
A është periudhë e mjaftueshme ajo gjer në rifillimin e garës?
Është kohë optimale për kushtet që jemi. Klubet tani, duke respektuar protokollet e sigurisë që kërkon qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, të përgatiten dhe të fillojnë garën.
Sipas jush, ç’pasoja ka sjellë kjo ndërprerje për klubet dhe lojtarët?
Ju e dini që është zero aktiviteti i klubeve nga fillimi i marsit dhe kjo ka sjellë pasoja për të gjithë. Një lojtar që shkëputet nga stërvitja do gjysmë viti apo më shumë për t’u rikthyer në formë. Ndërprerja në këtë pikëpamje është shkatërrimtare për karrierën e lojtarëve, sidomos të të rinjve. Për klubet është katastrofë, ka pasoja të rënda financiare e sportive.
Siguria, protokollet sanitare, udhëtimet, akomodimet, kostot etj., a janë mundësitë për të pasur vijueshmëri normale të garës?
Protokolli i sigurisë është përgjegjësi e klubeve, drej tuesve dhe menaxherëve të botës së futbollit. Asnjë tolerim nuk duhet të ketë. FSHFja ka diskutuar me drejtuesit e klubeve masat antipandemi të parashikuara në protokollin e sigurisë, që përfshin kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë e qeverisë. Klubet janë shumë të angazhuara për të qëndruar strikt me këto kushte, është një problem ligjor më shumë se problem sportiv. Është risk për të gjithë ne, për gjithë aktivitetin, tolerimi në zbatimin e masave.
Në takim të gjithë ishim me mendimin se klubet që nuk i plotësojnë masat, duhet të përballen me ligjin dhe masat disiplinore të FSHF-së. Jam i sigurt që me seriozitetin për të mbajtur gjallë aktivitetin sportiv, do t’i shkojmë deri në fund garës. U diskutua edhe për kostot e rritura për zbatimin e protokollit. Është në nder të qeverisë të mos vazhdojë ta injorojë detyrimin që ka për klubet, që tanimë duhet të përballojnë kosto të rritura.
FSHF-ja ka bërë maksimumin për të ndihmuar lojtarët dhe klubet, besoj se qeveria nuk do të vazhdojë si gjer tani, duke mos marrë asnjë përgjegjësi ndaj klubeve, që paguajnë taksa dhe janë në përputhje me legjislacionin shqiptar. E ka detyrim t’i ndihmojë.
Apolonia ka një akademi model në Shqipëri, me ekipe moshash dhe futbollin e femrave. Po me këto kompeticione, çfarë do të ndodhë?
Varet nga strategjia e qeverisë dhe FSHF-së. Pas Superiores dhe Kategorisë së Parë, pa dyshim do të diskutohet edhe për kampionatet e tjera. Besoj se do ketë zhvillime javën e ardhshme. Shqipëria ka nevojë të riaktivizojë prodhimin dhe të bëjë hapjen sociale, shoqërore dhe ekonomike, por vigjilente dhe e organizuar në luftën ndaj pandemisë. Nëse ka një gjë që i duhet më shumë Shqipërisë tani, është futbolli dhe sporti në tërësi.
Një vlerësim për garën dhe objektivin e Apolonisë?
Të gjitha ekipet e Apolonisë janë në pozita interesante, nga moshat e deri tek ekipi i parë janë pretendentë për kampionë. Sfida është shumë e fortë, veçanërisht kjo gjë është shumë e rëndësishme për skuadrën e parë. Shpresoj dhe uroj ta përmbushim objektivin e mirëpritur nga sportdashësit e Apolonisë.