Asnjëherë mos e provokoni “Toro”. Interi kapet pas forcës shpërthyese të Lautaro Martinez për të vazhduar garën për fitimin e titullit kampion në Seri A.
Me dygolëshin ndaj Empolit, i cili erdhi në një moment shumë delikat, pas avantazhit të dyfishtë të toskanëve në “San Siro”, argjentinasi iu mundësoi të tijve të rikuperojnë kreun e renditjes, në pritje të ndeshjes së Milanit.
Dopieta e djeshme kundër skuadrës së Andreazzolit e rriti në 11 numrin total të golave të shënuar nga Lautaro në 11 ndeshjet e fundit të luajtura midis Serie A dhe Kupës së Italisë.
Numra që peshojnë, veçanërisht në një kohë të tillë kur çdo ndeshje mund të përfaqësojë fatin e një sezoni të tërë. Lautaro ka vendosur gjithashtu një rekord të ri shënimi në një kampionat: 19 gola, dy më shumë se ato të shënuar në kampionatin e kaluar.
Me dy ndeshje të tjera për t’i luajtur, argjentinasi mund ta përmirësojë më tej rekordin. Sezoni i “Toro”, i cili gjithashtu kaloi një periudhë rënieje, është padyshim i kënaqshëm. Arsyet gjenden në maturimin e ri si futbollist: “Flas shumë me familjen time, ndoshta të qenurit baba më bëri të pjekur brenda dhe jashtë fushës”.
Për të kuptuar nëse energjitë e “Toro” do të mjaftojnë që Interi të fitojë titullin, na mbetet vetëm të presim ndeshjet e radhës, të fundit, vendimtare për zikaltrit. Gjithmonë me një sy nga Milani.