Mesfushori i Napoli-t, Amin Younes, ka dalë në mbrojtje të futbollistëve që, sipas tij, janë të detyruar të dhurojnë spektakël pa përdorur trurin: “Ne jemi të stërvitur për të qenë injorantë, pothuajse gjitçka na hiqet”, ka thënë ai për faqen gjermane T-Online.
“E vetmja gjë që mund të bëjmë është të pastrojmë këpucët tona, por nuk mund të bëjmë asgjë tjetër. Shumë pak e dinë se çfarë është një llogari kursimi, për shembull. Për të mos folur për pjesën se pothuajse askush nuk e di se çfarë do të bëjë pasi të tërhiqet nga futbolli”.
“Nuk duhet t’i shtrydhin futbollistët e rinj si limonë për talentin e tyre, por t’i ndihmojnë në të gjitha nivelet: atletik, njerëzor dhe financiar. Ne futbollistët fitojmë shumë dhe jetojmë larg botës normale, ka shumë nga ne që mbeten pa para pas varjes së këpucëve në gozhdë. Nuk na mësohet asgjë”.
“Shumë futbollistë profesionistë vijnë nga situata të varfra dhe bëhen yje papritur, me shumë para në xhep dhe pa ditur asgjë mbi menaxhimin e parave. Edhe unë vij nga një familje e varfër, por kam qenë me fat që babai im është kujdesur për paratë e mia që në fillim”, ka thënë Younes.