Menjëherë pas lajmit se është shoqëruar në polici ish-deputeti i PD Klevis Balliu dhe disa protestues te Unaza e Re, ka reaguar ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Lleshaj shprehet se PD është një grupim që tenton të përdorë abuzivisht dhe fshihet pas fëmijëve dhe grave, ndërsa thotë se qytetarët duhet të adresesojnë probelmet në mënyrë institucionale.
Postimi i Lleshajt:
Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës.
Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos.
Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë:
Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.
Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike!
E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale. Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë.
E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve.