Tre persona janë konfliktuar mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku Kristian Fermosi pas një konflikti të çastit me dy vëllezërit David dhe Ardian Kiri ka qëlluar me armë zjarri pistoletë drejt tyre dhe është larguar, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Plumbat nga të shtënat me armë përfunduan në drejtim të një automjet me targa angleze.
Por kush është Ardian Kiri i cili ishte ‘shënjestër’ e plumbit?
Ardian Kiri ka qenë ish-drejtues socialist i ALUIZNIT në Shkodër. Ai ka qenë dënuar me 30 vite burg, për vrasjen e shtetasit Marjan Martini dhe tentativës për vrasje të Nik Gjonlulaj dhe djalit të tij Amarildo Gjonlulaj, por gjykata e Apelit e ka lënë të lirë.
Ardian Kiri njihet si një eksponent i Partisë Socialiste në Shkodër dhe që ka pasur miqësi të ngushtë me deputetin Tom Doshi. Madje Kiri ka qenë dhe dëshmitar së bashku me të pandehurin tjetër të kësaj dosje Gjin Ndreun, të cilët përmenden në një relacion policie përcjellë prokurorisë së Tiranës, për ngritjen e çështjes kundër Tom Doshit, lidhur me demonstratën e 21 janarit në kryeqytet. Por përtej dosjes së “21 janarit”, me ardhjen në pushtet të PS në 2013, Ardian Kiri falë mbështetjes politike është emëruar drejtor i ALUIZNI-t në Shkodër. Mirëpo gjatë kohës që ka ushtruar këtë detyrë sipas prokurorisë dhe policisë Shkodër rezulton se ai është implikuar në një ngjarje të rëndë në Shkodër. Më konkretisht në datën 23 nëntor 2013, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur Gur i Zi, Shkodër, i pandehuri Ardian Kiri, Lazër Pemaj dhe Gjin Ndreu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qëlluar me armë, disa herë, kundër shtetasit Nik Gjonlulaj, i cili po lëvizte me makinën tip Benz, me targë AA390GD, bashkë me djalin e tij Amarildo Gjonlulaj, me drejtim lëvizje nga Shkodra në drejtim të komunës Gur i Zi.
Si pasojë e breshërisë së plumbave të gjuajtura nga të pandehurit, ka vdekur shtetasi Marjan Martini,i cili po lëvizte me motoçikletë në këtë aks rrugor, pikërisht në pjesën e urës në vijim të këtij segmenti rrugor, në momentin që të pandehurit po qëllonin me armë kundër shtetasit Nik Gjonlulaj,i cili po ashtu ishte në lëvizje me mjetin e tij. Ngjarja në fjalë u provua se ka ndodhur pas një debati të ashpër që i pandehuri Ardian Kiri,i shoqëruar dhe nga dy të pandehurit Gjin Ndreu dhe Lazër Pemaj, ka pasur me të dëmtuarin Nik Gjonlulaj ditën në fjalë, në një lokal në Beltojë, ku të gjithë personat kanë qenë duke qëndruar bashkë për drekë.