Edhe personat të cilët rezultojnë negativë në testet e antitrupave, mund të kenë kaluar Covid-19. Ekspertët kanë ngritur dyshime mbi këto teste, të cilat tregojnë nëse keni qenë të infektuar dhe këtë e bëjnë përmes pikasjes së antitrupave nga gjaku i marrë në gisht.
Sipas shkencëtarëve, disa persona mund ta kenë luftuar sëmundjen vdekjeprurëse me qeliza T në vend të antitrupave. Limfocitet T janë pjesë e përgjigjes tre fazëshe të trupit ndaj një infeksioni. Të ashtëquajturat qeliza “ imune jospecifike”, reagojnë menjëherë ndaj cdo trupi të huaj.
Ato marrin dy forma: qeliza T “ ndihmëse” dhe qeliza T “ vrasëse”, shpjegojnë mediat britanike. Të fundit e sulmojnë virusin direkt, dhe nëse ai i shpëton atyre, vjen linja e mbrojtjes, me qelizat T ndihmëse. Kjo është faza e tretë dhe këtu krijohen antitrupat. Por sipas ekspertëve, mund të ndodhë që virusi të goditet që në dy fazat e para dhe kështu, nuk mbeten shenja të luftës ndaj tij në gjak.
Ky pretendim vjen në kohën kur vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar më mirë reagimin imunitar ndaj sëmundjes së re, si dhe ato për gjetjen e një vaksine që të mbrojë nga koronavirusi. Kompani të ndryshme nëpër botë janë vënë sakaq dhe në garë për krijimin e saj, por ndërsa kjo mund të kërkojë shumë kohë, vazhdojnë dhe përpjekjet për gjetjen e një medikamenti.
Burimi: top-channel.tv