Policia e Shtetit ka njoftuar sot finalizimin e një operacioni policor të koduar “Faqet Online” në Tiranë.
Sipas policisë, në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i 15 shtetasve dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë.
Policia ka shtuar se këta shtetas nëpërmjet faqeve online në rrjete sociale, reklamonin dhe tregtonin produkte të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë, dhe për shitjet e tyre, nuk jepnin faturë tatimore, duke shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme produktesh (mallrash), të cilat do të tregtoheshin te klientët nëpërmjet postave”, ka theksuar policia.
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, tha policia.
/abc24.al/