Orges Shehi është bërë problem te Tirana, edhe pse fitoi titullin kampion të këtij edicioni, i 26-ti në historinë e bardhebluve. Ai ka kushtëzuar vijimësinë në detyrën që mban, me mediat që kanë shkruar se nga Kosova ka oferta më të majme financiare. Sidoqoftë, trajneri durrsak thotë se nuk ka përfunduar ende edicioni futbollistik, ndaj po mendon për ndeshjen e nesërme ndaj Vllaznisë, e cila do të luhet në “Selman Stermasi”:
“Ndeshje të tilla, kur vjen pas një triumfi në derbi dhe atë që kemi dëshiruar gjithmonë, të ishim kampionët e Shqipërisë, ka pak vështirësi për motivim. Kundërshtari që do të kemi përballë të imponon respekt. Është një klasike dhe do të ketë vlerësimin tonë nesër.
Të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e skuadrës kanë marrë minuta, disa më pak dhe disa më shumë. Ne kurrsesi nuk mund ta prishim strukturën. Nesër do të kemi ndonjë lojtar që ka pasur pak minuta në fushë dhe kjo bën mirë, sepse stimulojmë ato lojtarë kanë uri për të luajtur.
Formacioni? Është e sigurt që Hoxhallari do ta nisë ndeshjen nga pankina dhe në vendin e tij do të aktivizohet Zhivanaj. Kemi dalë kampionë dhe si të tillë duhet të sillemi, kjo vlen edhe për ndeshjet e mbetura. Duhet të futemi në fushë për të bërë më të mirën tonë.
Kemi disa objektiva për të arritur. Kemi dy lojtarë siç janë Xhixha dhe Seferi, që janë në krye të listës së golashënuesve, por duam që edhe faza difensive të jetë e para. Pra, duam që raporti mbrojtje-sulm të jetë me shifrat aktuale.
Objektivi është që skuadra të mos pësojë gol më asnjë ndeshje dhe pastaj objektivi tjetër është që nga portieri deri te faza e sulmit të jemi më të impenjuar. Objektivi im personal është i lidhur me skuadrën. Kur skuadra bën mirë, sigurisht që trajneri është shumë i lumtur.
Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim këto objektiva, sepse jemi një grup i gjithi i bashkuar. Objektivi i skuadrës është për të dhënë më të mirën dhe për të dalë gjithmonë fitimtarë, sigurisht që ky është dhe synimi im dhe i stafit teknik.
E ardhmja? Dëshira e të dyja palëve është që të vazhdojmë bashkë. Kemi nisur një rrugëtim të gjithë bashkë, duke qenë pjesa kryesore e ndërtimit të skuadrës. Një gjë është e sigurt që në mes nuk janë paratë, por projekti. Duhet të jemi gjithmonë kompetitivë, duke perfeksionuar profesionalizmin”.