Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë tha të mërkurën se Prokurori i Përgjithëshëm i Shteteve të Bashkuara ka pranuar të dëshmojë para Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve muajin që vjen, ndërsa paneli heton pretendimet mbi politizimin departamentit.
Paneli i drejtuar nga demokratët ka zhvilluar seanca dëgjimore në lidhje me mënyrën se si zoti William Barr dhe Departamenti i Drejtësisë kanë ndërhyrë në hetimet mbi mundësinë e keqbërjes nga Presidenti Donald Trump ose kanë nxjerrë vendime të favorshme për presidentin.
Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, paneli dëgjoi nga dy prokurorë aktualë federalë, të cilët dëshmuan mbi pretendimet për presion dhe influencë nga prokurori i përgjithshëm që ata kanë parë vetë.
Prokurori federal Aaron Zelinsky tha në seancë se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Uashington ishte vënë nën presion nga ‘nivelet më të larta’ të Departamentit të Drejtësisë për të ulur rekomandimet për dënimin e mikut të vjetër të Presidentit Trump, Roger Stone.
Në fjalën e tij hapëse, Kryetari i Komisionit Juridik Jerry Nadler tha se ‘puna e zotit Barr në Departamentin e Drejtësisë nuk ka asnjë lidhje me korrigjimin e padrejtësive. Ai është njeriu i presidentit. Ai ka treguar se ka një grup rregullash për miqtë e presidentit dhe një grup tjetër rregullash për pjesën tjetër’.
Republikanët në Komision folën në mbrojtje të zotit Barr. Kur zoti Barr të dëshmojë, padyshim që do të pyetet rreth shqetësimeve lidhur me ish Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Michael Flynn. Muajin e shkuar zoti Barr dha një vendim për heqjen e akuzave ndaj zotit Flynn, i cili ishte dënuar se kishte gënjyer FBI-në lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin rus.
Të mërkurën një gjykatë apeli mbështeti vendimin e departamentit të drejtësisë pasi një gjykatës vendosi që të mos vepronte menjëherë lidhur me vendimin. Zoti Barr u emërua vitin e kaluar në postin e Prokurorit të Përgjithsëm të Shteteve të Bashkuara duke zëvendësuar zotin Jeff Sessions./VOA
Burimi: top-channel.tv