Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, zhvilloi pasditen e të hënës një seancë të posaçme dëgjimore për situatën në Shqipëri. Kreu i komisionit, David McAllister, vlerësoi në hapje të diskutimit reformën elektorale të arritur në Shqipëri, më 15 qershor.
“Marrëveshja për reformën elektorale që u arrit në Shqipëri ishte një parakusht i rëndësishëm për nisjen e bisedimeve. Vendi ka hedhur ndërkohë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm. Por fatkeqësisht, konfrontimi politik është ende i dukshëm në Shqipëri”- tha McAllister.
McAllister tha se forcat politike në Shqipëri duhet të hedhin pas shpine politikat e bojkotit dhe të fokusohen tek rruga evropiane e vendit ndërkohë që nënvizoi se Shqipëria, është gjithnjë lart në axhendën e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian. Ndërsa shefja e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, shprehu keqardhjen për shembjen e Teatrit Kombëtar pa dialog dhe në anën tjetër theksoi se Shqiperia duhet të vijojë dialogun për të çuar përpara reformat.
“Është punuar shumë për sa i takon reformës së sistemit gjyqësor dhe vetingut, por puna duhet të vazhdojë. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur në kriza politike. Duhet të vijojë me reformat, duhet të forcojë dialogun ndërpartiak dhe Parlamenti Evropian do të vazhdojë ta mbështesë atë, siç ka bërë deri më tani”- tha Calavera.
Të tjerë europarlamentarë u ndalën tek paketa anti shpifje, për të cilën kërkuan kujdes ndërkohë që kujtuan edhe një herë se pa hetuar dhe luftuar krimin e korrupsionin, negociatat nuk do të mund të fillojnë.
Burimi: top-channel.tv