Arrigo Sacchi, ish trajneri i Milanit, ka folur nëpërmjet Gazzetta dello Sport për Milanin dhe Stefano Piolin, trajnerin kuqezi që po befason të gjithë me punën që është duke bërë me ekipin sidomos pas rifillimit të futbollit.
“E njoh Stefanon prej kohësh, e kam vlerësuar gjithmonë si një person të shkëlqyer, e mendoja një trajner të zoti por jo modern. Sot jo vetëm zotëron vlera profesionale dhe njerëzore të nivelit të lartë, por po më mahnit për përmirësimet që ka arritur te lojtarët e tij në pak muaj dhe idetë që kanë lejuar këtë transformim”, tha Sacchi.
“Stefano është protagonisti i madh i këtij identiteti loje që certifikon rritjen e tij dhe të futbollistëve. Nëse nuk do të qëndrojë nuk do të ketë probleme të gjej ekip: sidoqoftë duhet të jetë krenar për atë që ka bërë dhe për sjelljen e tij! Dëshmojnë madhështinë teknike dhe njerëzore”.