Rritet dhuna në familje, ulen kërkesat për urdhër mbrojtje

0
Gjigandi

Rritet dhuna në familje. Të dhënat e policisë tregojnë se numri i rasteve të denoncuara gjatë këtyre 9 muajve, ka qenë më i lartë, krahasuar me të njëjtën peridhë të një viti më parë. Gjithsej në të gjithë vendin, nga Janari deri në muajin Shtator janë denoncuar dhe trajtuar nga policia 4136 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura brenda familjes.

Krahasuar me vitin e kaluar, janë regjistruar 139 raste më shumë të dhunës në familje. Shumica e të denoncuarve rezultojnë përdorues alkooli apo persona të varur nga droga. Në Prokurori për këtë vepër penale, janë referuar rreth 1400 raste. Në flagrancë janë arrestuar 450 autorë.

Shumica e tyre kanë qenë përsëritës që prej vitesh kanë dhunuar bashkëshortet apo prindërit e tyre. Burime pranë policisë tregojnë se referuar statistikave, gjatë 2 viteve të fundit është vërejtur se jo në pak raste ka pasur dhunë ndaj prindërve të moshuar, nga fëmijët e tyre. Shkaqet kanë qenë të shumta, kushtet ekonomike, papunësia e deri në mospërputhje në mendime.

Pavarësisht se numri i rasteve të dhunës në familje ka qenë i lartë, ajo që bie në sy është numri i ulët i kërkesave për urdhër mbrojtje.

Nga janari deri në shtator, janë trajtuar me kërkesë-padi “Për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes”, 2402 raste të dhunës në familje në të gjithë vendin. 93 raste më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Ndërsa 143 persona janë evidentuar që kanë shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe kanë ushtruar sërish dhunë. Ata janë proceduar penalisht për dy vepra penale, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Dhuna në familje”. /abc

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu