Mbase mund të keni parë apo dëgjuar rreth “Miss America”, por ekziston edhe “Mrs. America”.
Në konkursin e dytë, i cili mbahet prej gati gjysmë shekulli, marrin pjesë gra të martuara që kanë shënuar arritje në jetë.
Ashtu sikurse në garat e tjera të bukurisë, edhe ky kompeticion zhvillohet në të 50 shtetet e ShBA-së dhe fituesit e secilit vend marrin pjesë në konkursin final për të zgjedhur femrat amerikane që do të mbajnë kurorën për një vit.
Marinela Shpati (Foto: Screenshot/Instagram)
Sivjet, fituese e garës ishte një grua me prejardhje shqiptare, duke dëshmuar thëniet e shkrimet e shpeshta që janë bërë si:
‘Shqiptarët raca më e bukur në botë’.
Marinela Shpati, e lindur në Lezhë, e më pas zhvendosur në Greqi e Amerikë bashkë me familjen, është shpallur këtë vit “Mrs. Michigan America 2022”.
Në një rrëfim ekskluziv për abc24.aln, bukuroshja shqiptare ka folur më shumë rreth konkursit, karrierës së saj prej modeleje e gjithashtu edhe për synimet e tjera në jetë.
Marinela Shpati (Foto: Screenshot/Instagram)
Ju jeni përzgjedhur “Mrs. Michigan America 2022”, si të bën të ndjehesh ky fakt?
“Ndihem shumë e nderuar që do të përfaqësoj Michiganin në Mrs.America në Las Vegas, është një privilegj për mua, pasi ky titull është arritur me shumë sakrificë dhe punë”.
Kur ka nisur karriera juaj dhe kush është në të vërtetë Marinela Shpati?
“Karriera ime ka nisur disa vite më parë në fushën e modelingut, si një hobi për mua. Marinela në të vërtetë është një vajzë shumë modeste, pozitive dhe shumë besimtare. E dua shumë Zotin, i dua njerëzit, i dua shumë fëmijët. Jam anëtare e dy organizatave/ ministrie krishtere nga më të mëdhajat, që janë të dedikuara për mbështetjen e fëmijëve që jetojnë në varfëri në shumë vende të botës. Jam edhe një partnere këshilluese në organizatën Compassion International. Personalisht jam një sponsore e një fëmije të varfër prej rreth gjashtë viteve nëpërmjet organizatës Compassion International. E kam shumë me pasio t’i ndihmoj të varfërit, sidomos fëmijët që jetojnë në varfëri. Ngaqë, edhe vetë, para 20 vitesh, kam qenë një ndër ata”.
Si keni arritur të bëheni pjesë e këtij konkursi, çfarë do të thotë për ty një kompeticion i tillë bukurie?
“Një gjë e tillë është arritur me shumë punë, sakrificë, kohë e investuar. Që të bëhesh pjesë e një konkursi të tillë, duhet të kesh shumë besim në vetvete, konfidencë te Zoti, të dish shumë kush je ti në sytë e tij. Të dini vlerat tuaja dhe synimet e qarta që keni. Që e vogël më kanë pëlqyer gjithmonë konkurset e bukurisë. Por tani që jam rritur e shikoj shumë më shumë se vetën një konkurs bukurie. Për mua është mundësia që të jep një konkurs i tillë, për të bërë në të vërtetë një ndikim pozitiv në platformën tënde. Platforma ime është të ndihmoj fëmijët që të jetojnë në varfëri dhe të bëhem një zë shprese për ta”.
Marinela Shpati (Foto: Screenshot/Instagram)
Ka qenë modelizmi pjesë e jetës tuaj gjithmonë, sa ishte e vështirë për ju një kësi lloj arritje?
“Modelingu ka qenë një nga pasionet e mia që e vogël, por mundësia për ta plotësuar këtë dëshirë është realizuar në Amerikë. Normal që nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e një fushe të tillë, pasi ka konkurrencë shumë të madhe. Për të arritur diçka të tillë duhet shumë punë, këmbëngulje, të jesh e fortë dhe mos të heqësh kurrë dorë nga një ëndërr e jotja”.
Në “Mrs. America” marrin pjesë gra të martuara, ishte paska sfiduese kjo për ju, sa kishit përkrahje?
“Po, në Mrs. America marrin pjesë gra të martuara, nga më të bukurat, më inteligjentet dhe më të suksesshmet! Unë nuk e shikoj fare si një konkurrencë kundër njëra-tjetrës, por e shikoj më shumë si një sfidë për veten time pasi fokusi im është të jem versioni më i mirë i vetes time. Unë gjithmonë përpiqem të jem vetvetja dhe të jap veten time më të mirë në çdo gjë që bëj. Besoj që secila nga ne që konkurrojmë ka historinë e saj dhe kjo na dallon nga njëra-tjetra. Mbështetja ime më e madhe ka qenë bashkëshorti im dhe familja ime. Kam pasur përkrahjen e tyre më të madhe. Pasi fitova titullin e Mrs. Michigan America 2022, kam marrë dashuri edhe përkrahje nga shumë njerëz të tjerë, sidomos nga shqiptarët. Faleminderit shumë të gjithë dhe ju jam shumë mirënjohëse për mbështetjen e tyre”.
Marinela Shpati (Foto: Screenshot/Instagram)
Si është një ditë e Marinelës, çfarë bën dhe sa je e përkushtuar në këtë profesion?
“Një ditë e imja është e mbushur me plot punë, gjimnastikë dhe punë vullnetare në komunitet. Më pëlqen të përfshihem dhe të marrë pjesë në çdo argëtim pozitiv në komunitet. Më pëlqen që edhe nëpërmjet punës time të përditshme tek Bank of America, më jep mundësinë të ndihmoj njerëzit të arrijnë qëllimet e tyre financiare. Gjithmonë, ka qenë ëndërr e imja të jem pjesë e një organizate, siç është Mrs. Michigan America që më jep mundësinë të arrij qëllimet e mia dhe të promovoj platformën time për të ndihmuar të varfërit. Dua që patjetër të përkushtohem 100 për qind si Mrs. Michigan America që të tregoj zemrën time, kush jam unë në të vërtetë, çfarë përfaqësoj, të jem vetvetja ime dhe të jap vetveten time në çdo gjë që bëj”.
Pas kësaj, ju do të keni mundësinë të konkurroni edhe në “Mrs World”? Çfarë prisni, mendon se mund të arrish në këtë?
“Po, pas Mrs. America vjen Mrs.World. Unë besoj shumë që asgjë nuk është e pamundur me Zotin. Çdo gjë mund të arrihet me të përkrah. Mjafton të kesh vullnetin për të bërë më të mirën, për të qenë vetvetja jote më e mirë, të punosh fort dhe të marrësh çdo gjë me pozitivitet”.
Po jeta juaj private, si qëndron dhe çfarë mund të na tregosh më shumë?
“Jeta ime private është e thjeshtë por shumë e angazhuar. Më pëlqen gjithmonë të argëtohem. Nuk më pëlqen që jeta ime të jetë monotone. Normal që punoj çdo ditë, kaloj kohë me familjen time, më pëlqen gjimnastika, të lexoj dhe pikturoj. Unë dhe bashkëshorti im i pëlqejmë shumë udhëtimet. Çdo fundjavë madje udhëtojmë. Gjithashtu, pasioni im është të përfshihem në ndihmën e fëmijëve të varfër, në të gjitha mënyrat e mundshme si vullnetare në komunitet”.
Marinela Shpati (Foto: Screenshot/Instagram)
Ju me prejardhje jeni shqiptare, si qëndron lidhja juaj, raportet me Shqipërinë?
“Jam e lindur në Lezhë. Kam jetuar në një fshat të Lezhës, Troshan, për 10 vite. Fatkeqësisht si shumë familje të tjera shqiptare edhe ne u detyruam të emigrojmë në Greqi për një jetë më të mirë, ku dhe kam jetuar për 10 vite të tjera. Pastaj kemi emigruar në Amerikë dhe kam 10 vite këtu. Pasioni im për të ndihmuar fëmijët e varfër ka lindur pikërisht nga kjo përvoja ime personale. Pavarësisht largësisë, unë nuk e harroj kurrë prejardhjen time dhe më pëlqen ta vizitoj Shqipërinë shpesh”.
Mes gjithë historisë së bukur në të cilin u përfshitë, çka mund të presim në vazhdim nga Marinela?
“Marinela ka shumë vizione dhe qëllime të larta. Si, Mrs. Michigan America qëllimi im është ta përdor këtë titull dhe zërin tim të ndihmoj të paktën 100 fëmijë të varfër të gjejnë sponsorë që jeta e tyre të ndryshojë përgjithmonë. Për mua, titulli i Mrs. Michigan America është shumë më shumë se vetëm një kurorë bukurie. Është mundësia që më është dhënë, nëpërmjet këtij titulli, të përdor platformën time që të luftoj për të çliruar çdo fëmijë nga dëshpërimi i varfërisë. Si një vullnetare/anëtare e Compassion International një nga qëllimet e mia është të bashkëpunoj me ta, që të sjell Compassion International edhe në Shqipërim sepse ashtu siç kam qenë unë në fëmijërinë time, ka shumë fëmijë të tjerë që jetojnë akoma në varfëri dhe nuk kanë asnjë mbështetje. Dhe ose jom edhe fëmijët më të varfër në Shqipëri të kenë mundësinë për një mbështetje ekonomike, mjekësore, për ushqim, shkollim dhe çdo gjë tjetër që ju nevojitet për tu rritur të lumtur, por mbi të gjitha të ndihen të dashur dhe të mbrojtur”. /abc24.al/
Marinela Shpati (Foto: Screenshot/Instagram)