Pa e minimizuar as rëndësinë e ndeshjeve tjera, përballjet Drita – Gjilani dhe Ballkani – Prishtina janë në qendër të vëmendjes së dashamirëve të futbollit në Kosovë, IPKO Superliga e së cilës vazhdon sot me ndeshjet e javës së 31-të.
Drita është në rrugë të mirë të fitojë titullin e kampionit, pasi tri javë para fundit të kampionatit e kryeson renditjen me 65 pikë, tri më shumë se përcjellësi më i afërt, Ballkani.
Skuadra gjilanase shpreson që sot të bëjë hapin e radhës drejt këtij synimi, por nuk do ta ketë aspak lehtë, pasi ndeshet me rivalin e përbetuar, Gjilanin, që po ashtu është kandidat për titull, pasi renditet në pozitën e tretë me 61 pikë.
Rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave është shumë i madh, por duke marrë parasysh renditjen në tabelë dhe synimin e të dyja palëve, atëherë ndeshja e sotme pritet me interesim edhe më të madh, e që për fat të keq duhet të zhvillohet pa praninë e shikuesve në stadium.
Po prej orës 17:00 (në këtë kohë fillojnë të gjitha ndeshjet), Ballkani është mikpritës i Prishtinës. Skuadra e Ismet Munishit synon fitore, sepse në këtë mënyrë do ta ruante hapin për titull, ndërsa kryeqytetasit kanë mbetur paksa prapa (pozita e katërt me 58 pikë), por me siguri që nuk do të dorëzohen lehtë, transmeton Objektivi.
Interesante pritet të jenë edhe ndeshjet e skuadrave që gjenden në pjesën e poshtme të tabelës, ku Trepça ’89, Flamurtari e Drenica shpresojnë të fitojnë ndaj rivalëve respektivë, Llapit, Feronikelit e Vushtrrisë.